

Dy persona kanë humbur jetën pas goditjes nga rryma elektrike në dy momente të ndryshme, në një ngjarje të rëndë të ndodhur më 29 gusht në Vaun e Dejës.
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar pas ngjarjes, duke sqaruar kronologjinë e ndërhyrjes së ekipeve mjekësore dhe kohën e mbërritjes së ambulancave në vendngjarje.
Rasti i parë u raportua në orën 18:03 si urgjencë për goditje elektrike. Në vendngjarje ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë reanimimin kardiopulmonar, por nuk arriti të rikthente qarkullimin spontan.
Në momentin e marrjes së njoftimit, ambulanca e Vaut të Dejës ishte jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik. Për këtë arsye, drejt vendngjarjes u nis një ambulancë nga Spitali i Shkodrës, e cila mbërriti në orën 19:44. Përpjekjet për reanimim vijuan edhe gjatë transportit drejt spitalit, por pacienti nuk mundi të mbijetojë.
Situata u rëndua edhe më tej disa minuta më vonë. Një elektricist kishte shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë në problemin elektrik, por gjatë punës u godit edhe ai nga rryma.
Për rastin e dytë, kërkesa për ndihmë mjekësore u regjistrua në orën 18:53. Në vlerësimin fillestar, elektricisti rezultonte pa shenja jete. Një ambulancë tjetër nga Shkodra u nis drejt vendngjarjes dhe mbërriti në orën 19:54, ku rasti u konstatua dhe u referua si “Kod i Zi”.
QKUM thekson se goditja elektrike është një urgjencë me rrezik të lartë për jetën dhe, në rastet e rënda, mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme.
Përmes reagimit zyrtar, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka shprehur ngushëllimet për familjarët e dy viktimave, ndërsa ka sqaruar se të dy rastet ndodhën në momente të ndryshme dhe se shërbimet e urgjencës u aktivizuan pas marrjes së thirrjeve për ndihmë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






