Transmetuar më 01-09-2026, 19:42

Policia e Shtetit zgjeron kriteret e pranimit për kandidatët që duan t’i bashkohen strukturave të saj. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin për rishikimin e kufirit të moshës, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë, profesionistët me arsim të lartë dhe punonjësit që vijnë nga struktura të tjera të sigurisë.

Sipas urdhrit të ri, kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë mund të aplikojnë për t’u pranuar në Policinë e Shtetit deri në moshën 35 vjeç. Kjo kategori përfshin edhe personat që synojnë të angazhohen në role zbatuese, përfshirë shërbimin në Patrullën e Përgjithshme, përmes ndjekjes së Kolegjit Bazë.

Kufiri 35 vjeç zbatohet gjithashtu për kandidatët që dëshirojnë të ndjekin programin Bachelor në Akademinë e Sigurisë dhe më pas të integrohen në strukturat e Policisë në rolin e parë drejtues, me gradën nënkomisar.

Ndryshimi prek edhe profesionistët me arsim të lartë. Personat që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare në profile të përshtatshme, mes tyre ekonomi, financë dhe teknologji informacioni, mund të pranohen deri në moshën 40 vjeç në rolin e parë drejtues, pas përfundimit të kursit të specializuar për nënkomisarë.

Një tjetër lehtësi parashikohet për punonjësit që vijnë nga institucione të tjera të sigurisë. Nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe kalojnë procedurat e pranimit, këta kandidatë nuk do t’i nënshtrohen një kufiri moshe.

Ministri Besfort Lamallari tha se ndryshimi synon të krijojë mundësi më të barabarta për kandidatët, duke marrë në konsideratë jo vetëm moshën, por edhe arsimin, kualifikimet dhe përvojën profesionale.

“Kjo është një vendimmarrje e drejtë, e cila ofron mundësi të barabarta në raport me angazhimin dhe përvojën e gjithsekujt, pa u penalizuar nga kritere të ngurta të aplikuara njëtrajtshëm për kandidatë me nivele të ndryshme arsimore dhe profesionale”, deklaroi Lamallari.

Sipas ministrit, zgjerimi i kritereve synon të ndihmojë në rifreskimin e strukturave policore dhe në rritjen e profesionalizmit, duke afruar në Polici edhe kandidatë me përvojë dhe specializime të ndryshme.

Ndryshimet pritet t’u japin mundësi për të aplikuar edhe personave që deri më tani kanë qenë të përjashtuar nga gara për shkak të kufirit të moshës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit