Transmetuar më 01-09-2026, 18:56

Marrëveshja politike mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Bekim Sejdiut në postin e presidentit të Kosovës është vënë në pikëpyetje pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi pas mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar se Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë kandidaturën e Sejdiut.

Sipas Abdixhikut, qëndrimi i deputetëve bie ndesh me vendimin e Kryesisë së LDK-së, e cila kishte mbështetur kandidaturën e dakordësuar me LVV-në.

“Gjashtë deputetë kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Abdixhiku, duke renditur emrat e deputetëve që kanë kundërshtuar kandidaturën.

Kreu i LDK-së tha se kishte kërkuar nga deputetët e grupit parlamentar që të mbështesnin marrëveshjen e arritur me LVV-në, por kundërshtimi i tyre, sipas tij, e ka bërë të pamundur vijimin e kësaj përpjekjeje.

“Kaq munda, nuk munda më tepër. Jo me këtë grup parlamentar, jo me këtë përçarje, jo me këtë ndarje, nuk munda më tepër”, u shpreh ai.

Abdixhiku argumentoi se marrëveshja me LVV-në synonte të gjente një zgjidhje politike për zgjedhjen e presidentit dhe, njëkohësisht, të shmangte përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme.

“Jam përpjekur të jap një mendim të pjekur, fokusin e Republikës, me shumë pak gjasa, të një partie që ka pasur kërkesa absolute për president të vetin”, tha ai.

Marrëveshja për kandidaturën e Bekim Sejdiut ishte arritur një ditë më parë mes Lumir Abdixhikut dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit. Megjithatë, kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së vë në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme në Kuvend.

Në këto kushte, sipas deklaratave të Abdixhikut, Kosova rrezikon të rikthehet në një situatë të re politike që mund të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit