Transmetuar më 01-09-2026, 17:45

Nexhmedin Danaj, pronari i kompanisë “Vlora Cable”, është arrestuar në Dubai, pasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të një hetimi për pastrim parash dhe trafik ndërkombëtar droge.

Danaj dyshohet nga autoritetet se ka pasur rol në lëvizjen dhe pastrimin e parave që dyshohet se burojnë nga trafiku i kokainës. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimeve, një pjesë e parave dyshohet se janë transferuar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe përmes kompanisë “General Trading LLC”, me seli në Dubai.

Emri i Danajt ishte përfshirë më herët në operacionin ndërkombëtar “Ura”, i zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane, kundër një rrjeti të dyshuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe pastrim parash.

Në kuadër të këtij hetimi, autoritetet vendosën nën sekuestro edhe kompaninë “Vlora Cable”, në pronësi të Danajt, si dhe biznesin “Dubai Inn”.

Sipas SPAK, hetimi i zhvilluar gjatë periudhës 2020–2025 ka dokumentuar dhjetëra episode të dyshuara të trafikimit të narkotikëve, përfshirë kokainë dhe heroinë. Operacioni i përbashkët Shqipëri-Itali çoi në ekzekutimin e 52 masave të sigurisë, ndërsa autoritetet sekuestruan kompani, pasuri të paluajtshme, automjete dhe shuma parash të dyshuara si të lidhura me aktivitetin kriminal.

Arrestimi i Nexhmedin Danajt në Dubai pritet të pasohet nga procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, në mënyrë që të vihet në dispozicion të drejtësisë.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa ndaj Danajt vlejnë parimi i prezumimit të pafajësisë dhe e drejta për t’u mbrojtur në procesin gjyqësor.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit