

Mbi 5 mijë persona kanë humbur jetën në Spanjë gjatë muajve të verës, në raste të lidhura me temperaturat e larta. Sipas të dhënave të Institutit Shëndetësor Carlos III, gjatë periudhës qershor-gusht janë regjistruar gjithsej 5,111 vdekje të lidhura me të nxehtin, shifra më e lartë që prej vitit 2015, kur nisën të mblidhen këto të dhëna.
Numri më i madh i viktimave u regjistrua në muajin gusht, me 2,149 raste, ndërsa në korrik u shënuan 2,025 dhe në qershor 937.
Shifra e këtij viti tejkalon rekordin e mëparshëm, të regjistruar në vitin 2022, kur temperaturat e larta u lidhën me 4,652 vdekje gjatë së njëjtës periudhë.
Në vitin 2025, në Spanjë u regjistruan 3,651 vdekje të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa në vitin 2024 shifra ishte rreth 1,977.
Të dhënat bazohen në sistemin spanjoll MoMo, i cili monitoron në mënyrë të përditshme vdekshmërinë. Sistemi krahason numrin e vdekjeve të regjistruara me numrin e pritshëm, bazuar në të dhënat historike. Në përllogaritje merren gjithashtu në konsideratë temperaturat e regjistruara nga shërbimi meteorologjik spanjoll Aemet.
Spanja ka përjetuar këtë vit disa valë të njëpasnjëshme të temperaturave ekstreme. Korriku 2026 ishte ndër muajt më të nxehtë të regjistruar në vend, ndërsa Aemet e cilësoi atë edhe si korrikun më të thatë që prej fillimit të regjistrimeve në vitin 1961.
Temperaturat e larta pritet të vijojnë edhe në shtator I nxehti ekstrem nuk pritet të largohet menjëherë. Shërbimi meteorologjik spanjoll ka paralajmëruar se shtatori mund të nisë me temperatura ndjeshëm mbi normalen sezonale, ndërsa në disa zona temperaturat mund të jenë më shumë se 10 gradë Celsius mbi vlerat tipike të kësaj periudhe.
Ekspertët e lidhin rritjen e shpeshtësisë dhe intensitetit të valëve të të nxehtit me ndryshimet klimatike. Spanja konsiderohet një nga vendet evropiane më të ekspozuara ndaj temperaturave ekstreme, duke e bërë të nxehtin një rrezik të rëndësishëm për shëndetin publik gjatë muajve të verës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






