

Banorët e Vaut të Dejës kanë protestuar pas vdekjes së dy 40-vjeçarit Sokol Preka dhe 46-vjeçarit David Deda, të cilët humbën jetën më 30 gusht pasi u zunë nga korrenti. Protestuesit ngrenë shqetësimin për vonesën e ambulancës dhe kërkojnë rikthimin e shërbimit të urgjencës 24 orë në qytet.
Ngjarja e rëndë e 30 gushtit, ku humbën jetën **Sokol Preka, 40 vjeç, dhe David Deda, 46 vjeç**, ka shkaktuar reagim të fortë në komunitetin e Vaut të Dejës.
Banorët kanë zhvilluar një protestë para qendrës shëndetësore, duke kërkuar përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rikthimin e një urgjence funksionale në qytet.
Sipas protestuesve, ambulanca mbërriti rreth **një orë e 30 minuta pas njoftimit**, duke ngritur pikëpyetje mbi reagimin e strukturave shëndetësore në momentet kritike.
Banorët kërkojnë që qendra shëndetësore e Vaut të Dejës të funksionojë si një **urgjencë 24 orë**, me mjekë, infermierë dhe një ambulancë të përhershme.
Në protestë ishte edhe motra e Sokol Prekës, e cila mes lotësh kërkoi drejtësi për vëllain e saj dhe denoncoi, sipas saj, mungesën e shërbimeve shëndetësore.
> “Kjo protestë është në shenjë të humbjes së dy djemve të rinj të Vaut të Dejës, nga kjo fatkeqësi e madhe që ndodhi, nga mungesa e shtetit, mungesa e ambulancave, infermierëve, doktorëve dhe të gjithëve.”
Ajo deklaroi se qyteti prej disa muajsh nuk ka ambulancë të përhershme dhe se shërbimi mjekësor në qendrën shëndetësore ofrohet vetëm gjatë paradites.
> “Nuk kemi urgjencë, nuk kemi ambulancë. Ka tre muaj që nuk ka ambulancë fare në këtë qytet. Jemi mbi 50 mijë banorë dhe nuk kemi një ambulancë.”
Sipas saj, pas mungesës së ambulancës në Vau të Dejës, mjeti i urgjencës është nisur nga Shkodra, duke mbërritur në vendngjarje pas rreth një orë e gjysmë.
> “Në mungesë të ambulancës, një orë e gjysmë ka bërë ambulanca për të ardhur nga Shkodra në vendngjarje. Kjo është mungesa e madhe e shtetit.”
Banorët kërkojnë që qendra shëndetësore të pajiset me shërbim urgjence gjatë gjithë ditës dhe natës, mjekë roje dhe ambulancë të përhershme.
Një prej protestuesve tha se më herët ka pasur mjekë roje gjatë natës, por ky shërbim, sipas tij, është ndërprerë prej rreth dy muajsh.
> “Ne jemi vetëm me infermierë. Mjeku është vetëm paradite. Infermierja çfarë mund të ndihmojë, çfarë mund të bëjë? Kjo është e keqja jonë.”
Protestuesit kërkojnë reagim nga institucionet përgjegjëse dhe marrjen e masave për garantimin e shërbimit të urgjencës për banorët e Vaut të Dejës.
Përgjegjësia për shkaqet e vdekjes së dy personave dhe nëse vonesa e shërbimit të urgjencës ka ndikuar apo jo në pasojat e ngjarjes mbetet për t’u përcaktuar nga autoritetet kompetente.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






