Transmetuar më 01-09-2026, 13:02

DURRËS- Policia e Durrësit ka zbardhur tetë raste vjedhjesh dy muajit e fundit, duke finalizuar kështu operacionin e koduar “Midsummer”.

Sipas njoftimit të Policisë, dy persona janë identifikuar si të përfshirë në këto çështje. Në prangat e Policisë ka rënë një 49-vjeçar nga Durrësi, pas vjedhjes së një celulari.

I shpallur në kërkim nga Policia, është një 32-vjeçar nga Durrësi si bashkëpunëtor me të arrestuarin. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rasteve të vjedhjeve që mund të jenë kryer në qytet.

Njoftimi i policisë:

“Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Midsummer”, zbardhen 8 raste të vjedhjes, të kryera gjatë 2 muajve të fundit.

Identifikohen 2 shtetas, të dyshuar si bashkëpunëtorë për këto vjedhje. Arrestohet njëri prej tyre, punohet për kapjen e tjetrit.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të operacionit të koduar “Midsummer”, për zbardhjen e vjedhjeve, u bë e mundur zbardhja e 8 rasteve të vjedhjes, të kryera gjatë muajit korrik dhe gusht 2026, si dhe u identifikuan 2 autorët e dyshuar.

Njëri prej tyre, shtetasi G. Th., 49 vjeç, banues në Durrës, u kap dhe u arrestua në flagrancë pas vjedhjes së një celulari. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit, shtetasit M. B., 32 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë muajve korrik dhe gusht, kanë kryer 8 vjedhje të ndryshme (në 6 raste raste, vjedhje portofolash, celularësh dhe sendesh personale, ndërsa në 2 raste, vjedhje të matësit të energjisë elektrike).

Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit