Transmetuar më 01-09-2026, 11:52

Vau i Dejës, 1 shtator 2026 — Banorë të Vaut të Dejës kanë protestuar pranë qendrës shëndetësore të qytetit, duke kërkuar përmirësimin e shërbimeve mjekësore dhe rikthimin e shërbimit të urgjencës gjatë gjithë ditës.

Protesta vjen pas vdekjes së David Dedës dhe Sokol Prekës, të cilët humbën jetën pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike në fshatin Karmë.

Banorët shprehen të shqetësuar për mungesën e shërbimeve shëndetësore dhe veçanërisht për pamjaftueshmërinë e mjeteve të urgjencës. Ata kërkojnë që qendra shëndetësore e Vaut të Dejës të ofrojë shërbim 24 orë dhe të ketë një ambulancë të dedikuar për zonën.

Një prej protestuesve deklaroi se banorët përballen me mungesën e mjekëve gjatë natës dhe se shërbimi aktual mbështetet kryesisht te infermierët.

“Ne kërkojmë që qendra shëndetësore e Vaut të Dejës të bëhet urgjencë, të ketë shërbim 24 orë nga mjekët dhe të ketë ambulancë. Kjo zonë nuk mund të mbetet pa shërbim urgjence”, u shpreh ai.

Sipas protestuesit, mjekët roje gjatë natës janë hequr prej rreth një muaj e gjysmë deri në dy muajsh, ndërsa ambulanca që mbulon zonën duhet të vijë nga Shkodra.

Ai pretendon se në raste emergjencash pritja për ambulancën ka qenë e gjatë dhe se, në rastin e dy viktimave në Karmë, mjeti i urgjencës është nisur nga Shkodra.

“Jemi rreth 50 mijë banorë dhe nuk kemi një ambulancë, nuk kemi urgjencë dhe nuk kemi shërbim mjekësor gjatë natës”, tha protestuesi.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për rikthimin e shërbimit mjekësor 24 orë, garantimin e një ambulance në zonë dhe forcimin e kapaciteteve të urgjencës.

Protestuesit thonë se përmirësimi i shërbimeve shëndetësore është një nevojë urgjente për banorët e Vaut të Dejës, veçanërisht për përballimin e rasteve që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit