

Lezhë, 1 shtator 2026 — Dy vite pas plagosjes me armë zjarri të Agron Pukës pranë një shkolle 9-vjeçare në fshatin Rrilë të Lezhës, Prokuroria ka kërkuar pushimin e akuzave ndaj tre personave të proceduar për ngjarjen.
Kërkesa është paraqitur në gjykatë nga drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Arben Nika, pas përfundimit të hetimeve të kryera nga prokurorja e çështjes, Irena Sufja.
Sipas organit të akuzës, gjatë hetimit nuk janë siguruar prova që të lidhin shtetasit me inicialet V.T., K.N. dhe A.K. me përplasjen me armë të ndodhur mëngjesin e 6 marsit 2024 në Rrilë.
Për këtë arsye, Prokuroria ka kërkuar pushimin e procedimit për akuzat “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Krahas pushimit të akuzave, Prokuroria ka kërkuar edhe shuarjen e masës së sigurimit personal të vendosur ndaj tre personave nën hetim me vendimin nr. 690-120, datë 9 mars 2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Vendimin përfundimtar mbi kërkesën e Prokurorisë do ta marrë gjykata, e cila do të vlerësojë materialet e hetimit dhe kërkesën për pushimin e çështjes.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 6 marsit 2024, kur Agron Puka u qëllua me armë zjarri pranë shkollës 9-vjeçare në Rrilë, pak pasi kishte shoqëruar fëmijët e tij në shkollë.
Sipas të dhënave të hetimit, Puka i është kundërpërgjigjur të shtënave duke përdorur armë zjarri. Pas përplasjes, ai mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Policia e arrestoi Pukën në spital, ndërsa hetimet vijuan për identifikimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë së personave të dyshuar për përplasjen me armë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






