

27 vatra zjarri janë evidentuar në territorin e Shqipërisë gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa katër prej tyre vijojnë të jenë aktive. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, katër vatra të tjera mbahen nën monitorim, ndërsa strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura vijojnë ndërhyrjet në zonat problematike.
Në total, për menaxhimin e situatës janë angazhuar **432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse**, të mbështetura nga **70 efektivë ushtarakë dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore**. Përgjatë ditës së sotme parashikohet shtimi i angazhimit ushtarak në Bulqizë, Mat dhe Tiranë.
Katër vatrat aktive
Në **Dajt të Tiranës**, zjarri vijon në drejtim të Qafë-Priskës. Sipas autoriteteve, flakët nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Në operacionin e një dite më parë morën pjesë forca zjarrfikëse, të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, ushtarakë dhe një helikopter.
Në **Vajkal të Bulqizës**, zjarri ka prekur një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja. Terreni shkëmbor dhe i vështirë po e komplikon ndërhyrjen e forcave në terren. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të strukturave pyjore, vullnetarë dhe trupa të Forcave të Armatosura.
Një tjetër vatër vijon në **Lundre të Matit**, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Në operacion janë përfshirë rreth 40 forca të strukturave zjarrfikëse dhe pyjore, 20 ushtarakë dhe një helikopter.
Në **Urën e Shtrenjtë, në Shkodër**, flakët vijojnë në një terren të thepisur, çka e bën më të vështirë ndërhyrjen. Forcat në terren po punojnë për izolimin e vatrës dhe frenimin e përhapjes së zjarrit.
Katër zona nën monitorim
Përveç vatrave aktive, strukturat e emergjencave po monitorojnë situatën në **Qafën e Helmës në Bulqizë, Qafën e Lugut në Korçë, malin e Qukësit në Prrenjas dhe Zhejën në Kurbin**.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në këto zona nuk raportohet aktualisht rrezik për banesat apo zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile, ndërsa ekipet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.
Prioriteti i operacioneve mbetet mbrojtja e jetës së njerëzve, banesave dhe pasurisë, ndërsa situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë vendin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






