Transmetuar më 01-09-2026, 08:00

TIRANË – Shqipëria vijon të karakterizohet nga një polarizim i fortë territorial, ku vetëm një numër i kufizuar bashkish kanë një strukturë të mirëfilltë urbane, ndërsa pjesa më e madhe e territorit mbetet me karakter rural.

Sipas Raportit Përfundimtar për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, i cili përdor metodologjinë DEGURBA dhe të dhënat e Censit 2023, vetëm 6 bashki në vend klasifikohen kryesisht si “qytet”. Ndërkohë, 13 bashki klasifikohen si “qytezë dhe periferi”, ndërsa 42 bashki, rreth dy të tretat e sistemit vendor, kanë karakter mbizotërues rural.

Kamza rezulton bashkia më e urbanizuar në vend, me 99% të popullsisë që jeton në vendbanime të klasifikuara si urbane. Pas saj renditet Tirana me 93.2% dhe Durrësi me 84.5%.

Norma të larta urbanizimi regjistrohen edhe në Vlorë me 81%, Sarandë me 78.6%, Gjirokastër me 76.4%, Korçë me 76.1% dhe Shkodër me 74.2%.

Mbi 70% të popullsisë në vendbanime urbane kanë edhe Berati, Kuçova dhe Elbasani. Ndërkohë, Vora rezulton me 64%, Shijaku me 62.6% dhe Pogradeci me 59.1%.

Në anën tjetër, një pjesë e konsiderueshme e bashkive kanë norma shumë të ulëta ose zero urbanizimi sipas kësaj metodologjie. Mes tyre përfshihen Himara, Përmeti, Tepelena, Delvina, Konispoli, Selenica, Divjaka, Mirdita, Puka, Fushë-Arrëza, Tropoja dhe Hasi.

Raporti sqaron se një normë zero urbanizimi nuk do të thotë se këto bashki nuk kanë qendra administrative apo vendbanime që tradicionalisht njihen si qytete. Sipas metodologjisë së përdorur, kërkohet ekzistenca e një bërthame urbane me rreth 5 mijë banorë.

Një nga rastet më karakteristike është Himara. Pavarësisht profilit të saj të rëndësishëm turistik dhe bregdetar, vendbanimet e saj nuk formojnë një grupim të lidhur që të kalojë pragun e përcaktuar nga metodologjia DEGURBA. Për këtë arsye, norma e urbanizimit rezulton 0%.

Të dhënat tregojnë një ndarje të theksuar mes zonave të urbanizuara, të përqendruara kryesisht në Tiranë, korridorin metropolitan dhe disa qendra rajonale, dhe pjesës tjetër të territorit, ku popullsia është e shpërndarë në shumë vendbanime të vogla.

Kjo strukturë ndikon edhe në ofrimin e shërbimeve publike. Në bashkitë me popullsi të shpërndarë, distancat më të mëdha, infrastruktura dhe kostot fikse e bëjnë më të vështirë dhe më të kushtueshëm ofrimin e shërbimeve për banor. Në të kundërt, zonat më të urbanizuara përballen me presion më të madh mbi transportin, strehimin dhe infrastrukturën.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit