Transmetuar më 31-08-2026, 21:50

Guerreiro ishte ndër personat që dhanë informacione mbi aktivitetet e paligjshme të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së

Allison Guerreiro, ish-partnerja 52-vjeçare e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, është gjetur e vdekur në banesën e saj në Florida, raporton tabloidi britanik *Daily Mail*.

Sipas deklaratave të babait të saj, Guerreiro ka ndërruar jetë më 27 gusht. Ai ka deklaruar se vajza e tij nuk do të kryente vetëvrasje, duke ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e vdekjes. Deri në publikimin e këtij informacioni, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera zyrtare mbi shkakun e vdekjes.

Guerreiro kishte dhënë informacione lidhur me aktivitetet e McGonigal, të cilat më vonë u bënë pjesë e çështjeve penale ndaj ish-zyrtarit të FBI-së. Ajo kishte folur për marrëdhëniet e tij me persona të lidhur me interesat ruse, pagesa të padeklaruara dhe kontakte me zyrtarë shqiptarë.

Në deklarimet e saj, Guerreiro kishte përmendur edhe udhëtimet e McGonigal në Shqipëri dhe pretendonte se ai i kishte treguar për një takim me kryeministrin Edi Rama.

Charles McGonigal, ish-shef i kundërzbulimit të FBI-së në Nju-Jork, u përball me dy çështje të veçanta penale në Shtetet e Bashkuara.

Në dhjetor 2023, një gjykatë federale në Nju Jork e dënoi me 4 vjet e 2 muaj burgim dhe 40 mijë dollarë gjobë. McGonigal kishte pranuar fajësinë për akuzat që lidhen me marrëdhënien e tij me oligarkun rus Oleg Deripaska dhe shkeljen e sanksioneve amerikane.

Ndërsa në shkurt 2024, Gjykata Federale në Uashington e dënoi me 28 muaj burgim për marrjen e 225 mijë dollarëve nga ish-agjenti i inteligjencës shqiptare, Agron Neza, si dhe për fshehjen e kontakteve dhe takimeve të padeklaruara me persona të lidhur me Shqipërinë.

McGonigal ishte një prej zyrtarëve më të lartë të kundërzbulimit të FBI-së dhe çështja e tij u konsiderua një nga rastet më të rëndësishme të ndjekjes penale të një ish-zyrtari të lartë të këtij institucioni.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit