

TIRANË – Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar pas ngjarjes tragjike ku një 37-vjeçare shtatzënë humbi jetën së bashku me foshnjën e saj, teksa po transportohej drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Përmes një deklarate zyrtare, ministria i ka shprehur ngushëllimet familjes së pacientes, ndërsa ka bërë të ditur se po ndjek me përgjegjshmëri rastin dhe ka kërkuar një vlerësim të plotë dhe të pavarur të procesit të kujdesit shëndetësor.
Vlerësimi do të përfshijë të gjithë periudhën, që nga momenti i paraqitjes së pacientes në spital deri në përfundimin e trajtimit, me qëllim evidentimin e çdo problematike të mundshme në menaxhimin e rastit.
Ministria thekson se, nëse gjatë vlerësimit konstatohen parregullsi apo mangësi, do të merren masat përkatëse në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta.
Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti.
Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit.
Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor”, thuhet në reagimin e ministrisë.
37-vjeçarja humbi jetën gjatë transportit drejt Tiranës
Ngjarja ndodhi ditën e sotme. 37-vjeçarja, e cila ishte rreth shtatë muajshe shtatzënë, ishte paraqitur fillimisht në Spitalin e Pogradecit për shkak të problemeve shëndetësore.
Pas ekzaminimeve dhe konsultave, mjekët vendosën transferimin e saj drejt Tiranës për trajtim të mëtejshëm. Por gjatë transportit, në afërsi të Elbasanit, gjendja e saj u përkeqësua dhe ajo humbi jetën.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 37-vjeçarja mund të ketë pësuar hemorragji të brendshme. Edhe foshnja nuk ka mundur të mbijetojë.
Ndërkohë, familjarët kanë ngritur pretendime për vonesa gjatë qëndrimit në Spitalin e Pogradecit. Motra e viktimës ka deklaruar se familja është detyruar të presë për më shumë se tre orë në spital.
Pretendimet e familjarëve, si dhe mënyra se si është menaxhuar rasti që nga paraqitja e pacientes në spital e deri te transferimi drejt Tiranës, pritet të jenë pjesë e vlerësimit të kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






