

TIRANË- Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë një njoftim në lidhje me kufizimin e qarkullimit të mjeteve për shkak të punime që po kryhen për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës.
Sipas ARRSH, për realizimin e sigurt të punimeve do të ketë bllokim të korsive të lëvizjes në të dyja akset Tiranë-Durrës dhe Durrës-Tiranë nga datat 1,2 dhe 3 shtator ne intervalin kohor 23:00-05:00.
Njoftimi i ARRSH:
Në kuadër të vijimit të punimeve për realizimin e projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”, dhe në zbatim të Planit të Menaxhimit të Trafikut, do të kryhen punime për montimin e trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit.
Për realizimin e sigurt të këtyre punimeve, në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2026, në intervalin kohor 23:00–05:00, do të ketë bllokim të përkohshëm të korsive të lëvizjes në të dyja drejtimet e aksit kryesor Tiranë–Durrës dhe Durrës–Tiranë.
Gjatë këtij intervali kohor, qarkullimi i mjeteve do të menaxhohet dhe devijohet sipas skemës së mëposhtme: Drejtimi Tiranë–Durrës
Mjetet do të devijohen nëpërmjet rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë lëvizjen në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet nëpërmjet rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.
Mjetet e rënda, veçanërisht kamionët
Për shkak të karakteristikave të qarkullimit dhe punimeve që do të kryhen, mjetet e rënda do të devijohen që nga nyja “Casa Italia”, duke vijuar nëpërmjet rrugës dytësore.
Drejtimi Durrës–Tiranë
Mjetet do të devijohen nëpërmjet mbikalimit Kashar–Thumanë, duke vijuar në rrugën dytësore në anën e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, nga ku do të rikthehen në autostradë.
Mjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën
Këto mjete do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, për të vijuar më tej në drejtimin përkatës. Gjatë gjithë periudhës së ndërhyrjes do të jetë e pranishme sinjalistika e përkohshme rrugore, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë të lutur të ndjekin me përpikëri sinjalizimin dhe udhëzimet e personelit të angazhuar për menaxhimin e trafikut.
ARRSH kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për kufizimet e përkohshme të qarkullimit. U rekomandohet drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht itinerarin e tyre dhe të shmangin, sa të jetë e mundur, qarkullimin në këtë segment gjatë intervalit kohor të punimeve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






