Transmetuar më 31-08-2026, 18:12

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pajisur me vizë amerikane dhe pritet të tërheqë pasaportën gjatë paradites së të martës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Lajmi vjen pak orë pasi Berisha deklaroi në një konferencë për mediat se dokumentet e tij për udhëtimin drejt SHBA-së ndodheshin ende në ambasadën amerikane dhe se nuk kishte marrë njoftim në lidhje me pasaportën.

I pyetur nëse e kishte tërhequr pasaportën dhe nëse kishte planifikuar takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, Berisha tha se deri në atë moment nuk kishte planifikuar asnjë takim.

Kreu i PD-së bëri të ditur se gjatë vizitës në SHBA do të udhëtojë drejt Teksasit, ku pritet të marrë pjesë në një konferencë të republikanëve amerikanë, si pjesë e një delegacioni të Unionit Demokratik Ndërkombëtar.

Udhëtimi pritet të zhvillohet javën e ardhshme. Në delegacion pritet të jenë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deputetët Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, si dhe Enri Ceno, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Demokratike.

Heqja e sanksionit amerikan

Më 11 qershor 2026, Berishës iu hoq sanksionimi i vendosur pesë vite më parë, i cili i ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Vendimi iu komunikua kreut të PD-së nga Departamenti Amerikan i Shtetit gjatë një bisede telefonike disa minuta me të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn.

Sali Berisha ishte shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara më 19 maj 2021. Vendimi u njoftua nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Antony Blinken, i cili deklaroi se Berisha ishte përfshirë në “korrupsion të rëndësishëm” gjatë ushtrimit të detyrave publike.

Si pasojë e vendimit, Berishës dhe anëtarëve të afërt të familjes së tij iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Sipas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit në atë kohë, akuzat lidheshin me shpërdorim të fondeve publike, ndërhyrje në proceset publike dhe përdorim të pushtetit për përfitime personale dhe për aleatët politikë.

Berisha i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe e ka cilësuar vendimin amerikan si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit