

TIRANË – Anuela Ristani ka reaguar për herë të parë pas vendimit të kryebashkiakut Erion Veliaj për t’i hequr delegimin e kompetencave për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ristani shprehet se largohet nga detyra pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit, duke e cilësuar këtë periudhë si një përvojë për të cilën ndihet krenare dhe mirënjohëse.
Në mesazhin e saj, Ristani ndalet te transformimi i Tiranës gjatë viteve të fundit, duke veçuar veçanërisht sheshin “Skënderbej”. Ajo e përshkruan sheshin si një prej simboleve të ndryshimit të qytetit dhe si një pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota.
Ristani falënderon bashkëpunëtorët dhe qytetarët me të cilët ka ndarë këtë periudhë, ndërsa përcjell edhe një mesazh për të ardhmen, duke theksuar se “koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm”.
Reagimi i plotë i Anuela Ristanit:
“Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë.
Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër por të gjatë të sheshit ‘Skënderbej’, që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep.
Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkëudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën.
Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë.
Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë ‘xhomllikse’, edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit.
Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi. Faleminderit të gjithëve!”
Vendimi për t’i hequr Ristanit kompetencat për drejtimin e Bashkisë së Tiranës u mor nga Erion Veliaj më 28 gusht. Ky zhvillim erdhi pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti.
Sipas vendimit të Veliajt, pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese kanë ndryshuar rrethanat institucionale dhe, për këtë arsye, nuk ekzistojnë më kushtet për vijimin e delegimit të kompetencave te Ristani.
Veliaj ka argumentuar gjithashtu se gjatë periudhës së delegimit ka pasur mungesë informimi dhe koordinimi institucional, si dhe moszbatim apo refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të kryetarit të zgjedhur nga kryetarja e deleguar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






