

TIRANË – Administrata e Bashkisë së Tiranës përballet me një situatë të pazakontë institucionale pas rikthimit të kompetencave te kryebashkiaku Erion Veliaj, duke lënë një sërë vendimesh administrative dhe financiare në pritje të firmës së tij.
Urdhri i Veliajt për shfuqizimin e kompetencave që i ishin deleguar nënkryetares Anuela Ristani më 14 shkurt 2025 është publikuar edhe në tabelat zyrtare të njoftimeve të Bashkisë së Tiranës.
Ristani, që prej të premtes së 28 gushtit, vijon të mbajë vetëm postin e nënkryetares, ndërsa kompetencat e deleguara më herët nuk janë më në fuqi.
Kjo situatë ka krijuar pikëpyetje për funksionimin e përditshëm të administratës, pasi vendimet që kërkojnë firmën e kryetarit nuk mund të miratohen në emër të tij nga nënkryetarja.
Një prej çështjeve më urgjente lidhet me ndihmën ekonomike. Për miratimin e vendimeve përkatëse nevojitet mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila thirret nga kryetari, ndërsa ekzekutimi i pagesave kërkon gjithashtu firmën e kryebashkiakut.
Në pritje është edhe një pjesë e vendimeve që lidhen me nisjen e vitit të ri shkollor. Futja e projektit “after-school” kërkon mbështetje financiare dhe vendimmarrje që lidhet me kompetencat e kryetarit.
Problemet shtrihen edhe te kontratat për shërbimet publike. Sipas raportimeve, vendime që lidhen me shërbime të ofruara nga kompani të kontraktuara, përfshirë pastrimin, nuk mund të procedohen pa firmën e titullarit të bashkisë.
Në një situatë të ngjashme janë edhe vetë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, pasi pagat për muajin gusht janë një tjetër çështje që kërkon miratimin përkatës.
Lista e vendimeve që mbeten të bllokuara përfshin edhe çështje të tjera me afate të përcaktuara, si taksa në fushën e ndërtimit, subvencionimi i karburantit për transportin në Qarkun e Tiranës, administrimi i pronës publike, si dhe emërime e shkarkime në administratë.
Në kushtet e krijuara, pyetja kryesore është se si do të funksionojë mekanizmi i firmosjes së këtyre akteve, duke qenë se Veliaj, edhe pse juridikisht vijon të jetë kryetar i bashkisë, ndodhet prej më shumë se një viti e gjysmë në paraburgim në Durrës.
Për të gjetur një zgjidhje praktike për këtë situatë, avokati i Veliajt, Ndreca, është paraqitur paraditen e së hënës në ambientet e Bashkisë së Tiranës.
Ai është takuar me Anuela Ristanin për të evidentuar vendimet më urgjente dhe për të diskutuar mënyrën se si mund të procedohen aktet që kërkojnë firmën e kryetarit.
Në një prononcim për Top Channel, avokati ka konfirmuar se po shqyrtohet mënyra se si do të mund të firmosen dokumentet dhe vendimet që janë në kompetencë të Erion Veliajt.
Kështu, pas ndryshimit të kompetencave në drejtimin e bashkisë, sfida e radhës është gjetja e një mekanizmi ligjor dhe praktik që të mos pengojë funksionimin e shërbimeve dhe pagesave që varen nga vendimmarrja e kryetarit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






