

PRISHTINË – Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë vendimin ndaj dy prej personave të akuzuar për vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022.
Dushan Dobraçi është dënuar me një vit burgim, ndërsa Millosh Radosavljeviçi me nëntë muaj burgim. Për të dy, procedura gjyqësore ishte veçuar pasi kishin arritur marrëveshje me Prokurorinë Speciale për pranimin e fajësisë.
Radosavljeviçi është shpallur fajtor për veprën penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues”.
Ndërsa Dobraçi është shpallur fajtor për të njëjtën vepër, si dhe për “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Për veprën e parë, Dobraçi është dënuar me gjashtë muaj burgim, ndërsa për veprën e dytë me gjashtë muaj të tjerë.
Në të njëjtën kohë, procesi ndaj katër të akuzuarve të tjerë nuk ka nisur sipas planifikimit. Seanca është shtyrë për 15 shtator, pasi në gjykatë nuk është paraqitur Nenad Orlloviçi.
Gjykatësi Rrahman Beqiri bëri të ditur se ndaj Orlloviçit është përsëritur urdhërarresti. Sipas raportit të Policisë së Kosovës të datës 27 gusht 2026, zyrtarët policorë kanë shkuar në adresën e tij për ekzekutimin e urdhërarrestit, por nuk e kanë gjetur.
Fqinjët, sipas të njëjtit raport, kanë deklaruar se Orlloviçi jeton në Serbi.
Për shkak të mungesës së tij, procedura ndaj katër të akuzuarve të tjerë do të vijojë në seancën e radhës.
Në këtë rast janë të akuzuar Dushan Maksimoviçi, Nemanja Jolloviçi, Sërgjan Vuçiniçi dhe Nenad Orlloviçi. Prokuroria i ngarkon ata me vepra penale kundër rendit kushtetues, lidhur me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës në vitin 2022.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 26 qershor 2026.
Sipas Prokurorisë, më 10 dhjetor 2022 të akuzuarit dyshohet se kanë vendosur barrikada në rrugët kryesore të komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Bllokimet janë realizuar me mjete të ndryshme, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autobusë, autoambulanca dhe automjete të tjera. Barrikadat janë larguar më 29 dhjetor të të njëjtit vit.
Vendosja e tyre erdhi pas një periudhe të tensionuar politike dhe të sigurisë në veri.
Më 6 dhjetor 2022, në objektet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut ishin hedhur dy mjete shpërthyese, njëri prej të cilëve kishte shpërthyer.
Në atë periudhë, zyrtarët zgjedhorë po përgatiteshin për organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve serbë të zgjedhur nga Lista Serbe.
Dorëheqjet erdhën në shenjë kundërshtimi ndaj politikave të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në targa RKS.
Pak ditë më vonë, më 9 dhjetor, ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiçi, u arrestua në pikën kufitare të Jarinjës. Arrestimi i tij u pasua nga rritja e tensioneve dhe vendosja e barrikadave në veri.
Për shkak të situatës së krijuar, zgjedhjet lokale u shtynë për prillin e vitit pasues.
Në të njëjtën periudhë, Serbia kishte vendosur ushtrinë në gjendje gatishmërie dhe kishte shtuar praninë e saj ushtarake përgjatë vijës kufitare me Kosovën.
Tani, pas dënimit të dy të akuzuarve që pranuan fajësinë, vëmendja e procesit gjyqësor zhvendoset te katër të pandehurit e tjerë, ndaj të cilëve seanca e radhës është caktuar më 15 shtator.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






