

ELBASAN/POGRADEC – Detaje të reja dalin në dritë për vdekjen e 37-vjeçares Marjana Karolina Bunaj, e cila humbi jetën gjatë transportit me ambulancë nga Pogradeci drejt Tiranës.
Gruaja, me origjinë nga Mirdita dhe e martuar në Pogradec, ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe priste fëmijën e saj të parë.
Sipas familjarëve, bashkëshorti i saj ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm tre ditë para ngjarjes. Ai dhe familja e tij jetojnë në SHBA, ndërsa 37-vjeçarja priste që t’u bashkohej.
Për Marjanën, udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara do të ishte hera e parë. Por gjatë natës së së dielës, ajo ka shfaqur dhimbje të forta në bark.
Në pamundësi për të përballuar situatën, 37-vjeçarja ka telefonuar motrën e saj, e cila banonte pranë. Motra ka shkuar menjëherë dhe e ka marrë me makinë për ta dërguar në spitalin e Pogradecit.
Pas mbërritjes në spital, mjekët kanë dyshuar për një hemorragji. Sipas informacioneve paraprake, pas ekzaminimeve, pacientja është vendosur në katin e sipërm të maternitetit, ku është vlerësuar se kishte nevojë për trajtim më të specializuar dhe duhej të transportohej drejt Tiranës.
Gjatë kësaj kohe është diskutuar edhe mundësia e transportimit me helikopter. Megjithatë, sipas informacioneve të bëra publike, kjo alternativë nuk është realizuar për shkak të errësirës.
Sipas të dhënave paraprake, 37-vjeçarja është paraqitur në spital me parametra jetësorë të ulët dhe në një gjendje të rënduar, e cila e bënte të vështirë transportin. Më pas është kryer edhe reanimimi.
Pas përgatitjeve, në orën 04:30 të mëngjesit, Marjana është nisur me ambulancë drejt Tiranës.
Por udhëtimi nuk do të përfundonte në kryeqytet.
Në hyrje të Elbasanit, gjendja e 37-vjeçares është përkeqësuar dhe ajo ka ndaluar së reaguari. Në ato momente, sipas dëshmisë së motrës së saj, e cila ndodhej në ambulancë, infermierja i ka rënë xhamit të shoferit dhe i ka kërkuar që ta drejtonte ambulancën drejt spitalit të Elbasanit.
“Fute te spitali i Elbasanit se na iku”, mësohet t’i ketë thënë infermierja shoferit.
Ambulanca është drejtuar drejt spitalit të Elbasanit, ndërsa motra e viktimës pretendon se 37-vjeçarja ka mbërritur pa shenja jete.
Pas konstatimit të vdekjes, trupi i 37-vjeçares është dërguar për autopsi në morgun e Tiranës.
Ndërkohë, motra e Marjanës është paraqitur në Komisariatin Nr. 4, ku ka bërë kallëzim për rrethanat e ngjarjes.
Familjarët kërkojnë që të zbardhet i gjithë itinerari mjekësor i 37-vjeçares, nga momenti i paraqitjes në maternitetin e Pogradecit, trajtimi i marrë aty, koha e nisjes drejt Tiranës dhe gjendja e saj gjatë transportit.
Në qendër të hetimit pritet të jenë edhe pretendimet për vonesat, mundësia e transportit me helikopter, gjendja e pacientes në momentin e nisjes dhe ndërhyrjet e kryera gjatë rrugës.
Për momentin, këto janë të dhëna dhe pretendime të familjarëve dhe informacione paraprake. Shkaqet e sakta të vdekjes pritet të përcaktohen nga autopsia, ndërsa përgjegjësia eventuale e personelit mjekësor apo e strukturave shëndetësore do të duhet të vlerësohet nga hetimet e autoriteteve.
Marjana Karolina Bunaj ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe, sipas familjarëve, priste të sillte në jetë fëmijën e saj të parë. Vetëm pak ditë përpara tragjedisë, bashkëshorti i saj ishte larguar drejt SHBA-ve, në pritje të bashkimit familjar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






