Transmetuar më 31-08-2026, 14:34

POGRADEC – Një 37-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën teksa po transportohej drejt Tiranës për trajtim të specializuar mjekësor. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Pogradec, ndërsa familjarët e të ndjerës kërkojnë hetim të plotë për mënyrën se si është menaxhuar situata.

Marjana Karolina Bunaj kishte kërkuar ndihmë mjekësore pasi, sipas motrës së saj, kishte nisur të ndiente dhimbje të forta në bark.

Albina Mekolli, e cila e ka shoqëruar gjatë qëndrimit në maternitet, tregon se e ndjera e telefonoi rreth mesditës.

“Në orën 12 më merr në telefon dhe më tha: Eja se kam dhimbje të forta barku.”

Sipas dëshmisë së saj, 37-vjeçarja u dërgua në maternitet, ku iu kryen një vizitë dhe një ekzaminim me eko. Familjarët thonë se mjekja konstatoi një gjakderdhje të brendshme dhe më pas u vendos që pacientja të dërgohej në Tiranë.

Në dëshminë e saj, Mekolli pretendon se gjatë përgatitjeve për transport pati vonesa. Ajo tha se ishte diskutuar edhe mundësia e përdorimit të helikopterit, por transporti me këtë mjet nuk u realizua.

“Dëgjova që po thonin helikopterin, por u shprehën se nuk vjen dot sepse është natë”, rrëfeu ajo.

Sipas familjarëve, pacientja u dërgua më pas në reanimacion, ndërsa ambulanca për në Tiranë u nis vetëm pas orës 04:00.

Motra e të ndjerës pretendon se gjatë qëndrimit në Pogradec nuk është kryer ndërhyrje kirurgjikale dhe se për disa orë pacientes i janë vendosur vetëm perfuzione dhe i është dhënë gjak.

“Në Pogradec nuk iu bë asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Në tre orë i vunë vigonë për serume dhe gjak”, tha Mekolli.

37-vjeçarja ndërroi jetë gjatë transportit drejt Tiranës. Për familjarët, koha e reagimit dhe e transportit është një prej pikave që duhet të sqarohet nga hetimi.

Motra e saj thotë se një ndërhyrje më e shpejtë mund të kishte ndikuar në përfundimin e ngjarjes.

“Nëse do të ishim nisur pak më parë, do të më kishte shpëtuar motra të paktën”, u shpreh ajo.

Familja kërkon që autoritetet të përcaktojnë nëse ka pasur neglizhencë apo vonesa në trajtimin dhe transportimin e pacientes dhe nëse këto rrethana kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së saj.

“Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo”, deklaroi motra e 37-vjeçares.

Sipas familjarëve, bashkëshorti i Marjanës ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm tre ditë para ngjarjes, në përpjekje për të realizuar bashkimin familjar. Fëmija që ajo priste ishte i pari për çiftin.

Rrethanat e sakta të vdekjes dhe përgjegjësia eventuale për mënyrën e trajtimit pritet të përcaktohen nga hetimet dhe ekspertizat përkatëse.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit