Transmetuar më 31-08-2026, 14:07

PRISHTINË – Bekim Sejdiu pritet të jetë kandidati për president i dalë nga marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u shfaqur si figura mbi të cilën dy subjektet politike kanë gjetur dakordësinë pas javësh diskutimesh.

Por përtej zhvillimeve të fundit politike, Sejdiu ka pas vetes një karrierë të shtrirë në drejtësi, diplomaci dhe akademi.

I lindur në vitin 1974, ai ka qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për gjashtë vite. Sejdiu u emërua gjyqtar në prill të vitit 2015 dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2021, kur dha dorëheqje.

Gjatë punës në Gjykatën Kushtetuese, ai ka pasur rol në disa çështje me rëndësi për zhvillimet politike dhe institucionale në vend. Në mesin e tyre ishte edhe rasti që lidhej me Qeverinë e Avdullah Hotit, i cili u bë pjesë e një prej vendimeve më të rëndësishme politike të vitit 2020.

Përpara se të merrte detyrën si gjyqtar kushtetues, Sejdiu ishte angazhuar në diplomacinë e Kosovës.

Nga viti 2008 deri në vitin 2012, ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi. Pas përfundimit të këtij mandati, karrierën diplomatike e vazhdoi në Shtetet e Bashkuara, ku ishte konsull i përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork nga viti 2012 deri më 2014.

Rrugëtimi i tij në institucionet e politikës së jashtme kishte nisur edhe më herët. Sejdiu ka qenë këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Paralelisht me angazhimet institucionale, ai ka ndërtuar një karrierë në akademi. Sejdiu është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron që nga viti 2002.

Formimi i tij akademik nis me studimet në drejtësi në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdon me studime pasuniversitare në marrëdhënie ndërkombëtare, demokraci dhe të drejta të njeriut. Ai ka përfunduar edhe doktoraturën në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.

Emri i Sejdiut u vendos në tryezën e negociatave mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një kandidat që do të mund të siguronte mbështetje politike për postin e presidentit.

Pas disa takimesh, përfshirë edhe diskutimet e zhvilluara në ambientet e Kuvendit, dy liderët politikë u dakorduan për kandidaturën e tij.

Tashmë, rruga e Sejdiut drejt Presidencës varet nga votimi në Kuvendin e Kosovës.

Në dy raundet e para kërkohen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë kandidati mund të zgjidhet me 61 vota. Për zhvillimin e votimit duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit