

PRISHTINË – Bekim Sejdiu ka reaguar pas vendimit të LVV-së dhe LDK-së për ta propozuar atë si kandidat për president të Kosovës.
Në paraqitjen e tij të parë pas marrëveshjes politike, Sejdiu tha se kandidatura për postin e kreut të shtetit për të përbën një përgjegjësi të rëndësishme.
Ai tregoi se e ka pranuar propozimin e dy partive, edhe pse deri më tani fokusi i tij kryesor ka qenë në akademi.
Sejdiu tha se besimi i dhënë nga përfaqësuesit e dy subjekteve politike e ka nderuar, ndërsa theksoi se vendimi duhet parë edhe në raport me situatën aktuale politike në Kosovë.
“E kam pranuar këtë propozim, ani pse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha akademike”, tha ai.
Sipas tij, posti i presidentit mbart një barrë dhe përgjegjësi të veçantë.
“Jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë”, u shpreh Sejdiu.
Ai shtoi se synon ta ushtrojë detyrën me të njëjtin përkushtim me të cilin, sipas tij, ka shërbyer edhe në angazhimet e mëparshme profesionale.
“Do të shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë”, deklaroi kandidati.
Emri i Sejdiut doli si rezultat i negociatave të zhvilluara gjatë javëve të fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut. Dy liderët kanë kërkuar një kandidat që mund të shërbente si pikë dakordimi mes forcave politike.
Pas pranimit të kandidaturës, sfida e radhës mbetet sigurimi i votave në Kuvend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






