

PRISHTINË – Pas disa javësh negociatash, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur dakordimin për emrin që do të propozohet për postin e presidentit të Kosovës.
Bëhet fjalë për profesorin universitar dhe ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu.
Marrëveshja u konfirmua nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit të zhvilluar me kryeministrin në detyrë dhe liderin e LVV-së, Albin Kurti, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku bëri të ditur se negociatat për gjetjen e një kandidati të përbashkët kanë nisur më 9 korrik dhe janë zhvilluar përmes një sërë takimesh mes dy palëve.
Sipas tij, procesi i diskutimeve ka qenë i gjatë dhe jo i lehtë, por qëllimi ka qenë gjetja e një figure që do të mund të shërbente si kandidat konsensual për kreun e shtetit.
“Bisedimet nuk ishin të lehta, por ishin shteruese. Kemi qenë të përkushtuar të përcaktohemi për një emër konsensual për president”, deklaroi Abdixhiku.
Ai konfirmoi se pas shqyrtimit të disa emrave, palët kanë përfunduar te Bekim Sejdiu.
“Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, gjatë diskutimeve tona të përbashkëta jemi dakorduar për një emër e ai është profesor doktor Bekim Sejdiu”, tha kreu i LDK-së.
Dakordimi mes dy subjekteve politike hap tashmë rrugën për procedurën parlamentare të zgjedhjes së presidentit, ndërsa Sejdiu pritet të kalojë për votim në Kuvendin e Kosovës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






