

TIRANË — Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e fundit të situatës së zjarreve në territorin e vendit, ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 31 vatra, nga të cilat 5 mbeten ende aktive.
Për menaxhimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar në terren 319 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të operacioneve po veprojnë edhe 80 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Tiranë: Situata më problematike paraqitet në zonën e Dajtit, drejt Qafë-Priskës (përballë Farkës), ku zjarri mbetet aktiv dhe po punohet nga 15 zjarrfikës, 9 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtuara (AdZM) dhe 20 efektivë të FA. Fatmirësisht, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Dibër: Mbeten aktive vatrat në Vajkal, Lundre dhe Ballenjë, ndërsa vatra në Sllatinë është izoluar. Në brezin Bershi–Kurdari–Patinë të bashkisë Klos regjistrohen gjithashtu dy vatra aktive në një sipërfaqe prej rreth 4 hektarësh. As këtu nuk raportohen rreziqe për banesat.
Elbasan & Korçë: Vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit në Elbasan, si dhe ajo në “Qafën e Lugut” në Vithkuq të Korçës, mbahen rreptësisht nën mbikëqyrje dhe janë nën kontroll, pa rrezik për popullsinë.
Durrës: Zjarri në fshatin Zallë të Fushë-Krujës është shuar plotësisht falë ndërhyrjes së strukturave vendore dhe 30 efektivëve të FA.
Ndërkohë, dhjetëra vatra të tjera të shfaqura në qarqet Tiranë, Berat, Shkodër, Gjirokastër, Lezhë, Vlorë dhe Korçë janë neutralizuar plotësisht. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) bën me dije se strukturat operacionale mbeten në gatishmëri të lartë për të mbrojtur jetën, banesat dhe pronat e qytetarëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






