Transmetuar më 31-08-2026, 11:23

TIRANË — Duke nisur nga dita e sotme, 1 shtator, operatorët e transportit publik në Tiranë do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar me rreth 20–30%. Vendimi vjen si pasojë e kostove të larta të operimit dhe mosrealizimit të kompensimit për karburantin nga ana e institucioneve.

Në një letër të përbashkët dërguar Kryeministrisë, ministrive përgjegjëse dhe Bashkisë së Tiranës, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban theksojnë se masa nuk përbën një zgjedhje të operatorëve, por një pamundësi financiare për të mbuluar shpenzimet me flotë të plotë, sidomos pas rritjes së çmimit të naftës. Prej muajit maj, shoqatat kanë kërkuar zgjatjen e periudhës dhe realizimin e kompensimit prej 50 lekësh për litër, por pa marrë një përgjigje apo zgjidhje konkrete.

Përfaqësuesit e transportit paralajmërojnë se ky reduktim do të sjellë ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të autobusëve në qarkullim dhe vështirësi të ndjeshme për qytetarët. Operatorët u bëjnë thirrje institucioneve të ndërhyjnë me urgjencë për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të shërbimit dhe për të rikthyer kapacitetin e plotë operacional sapo të mundësohet mbështetja financiare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit