

PEQIN — Uljan Shpataraku, ish-efektivi i policisë dhe shoferi i Ergys Agasit, është transferuar ditën e sotme në ambientet e paraburgimit të Peqinit, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg". Mbi Shpatarakun rëndon akuza penale e përkrahjes së një anëtari të grupit kriminal.
Shpataraku u prangos së bashku me Ergys Agasin në zonën e Plepave në Durrës, pasi ky i fundit u lokalizua fillimisht në qytetin e Elbasanit. Ergys Agasi, i shumëkërkuar nga SPAK për abuzimet me tenderët e AKSHI-t, akuzohet se në bashkëpunim me Ermal Beqirajn — i arrestuar pak javë më parë në Francë — krijoi një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve publikë përmes korrupsionit, dhunës dhe pengmarrjes.
Në kuadër të së njëjtës dosje hetimore, ndërkohë që ish-drejtoreshës së AKSHI-t i është lehtësuar masa e sigurisë në "detyrim paraqitje", policia ka zhvilluar kontrolle blic me urdhër të SPAK-ut në banesën e Shpatarakut te "Liqeni i Thatë". Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar prova elektronike dhe dokumente të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me hetimet për skandalin e tenderëve të AKSHI-t.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






