Transmetuar më 31-08-2026, 07:56

Shqipëria vijon të ketë peshën më të lartë të sektorit të ndërtimit në ekonomi në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, ndërtimi përbënte 12.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian ishte vetëm 5%.

Kjo do të thotë se pesha e ndërtimit në ekonominë shqiptare ishte rreth 2.5 herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Pas Shqipërisë renditet Rumania me 8.6%, ndërsa Kosova me 7.8% dhe Maqedonia e Veriut me 6.6%.

Në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërtimi zinte një pjesë dukshëm më të vogël të ekonomisë: 4.8% në Bosnjë-Hercegovinë, 4.6% në Serbi dhe 3.8% në Malin e Zi.

Brenda BE-së, pas Rumanisë, peshën më të lartë e kishin Sllovakia me 7.7%, Lituania me 6.7% dhe Kroacia me 6.6%. Në ekonomitë kryesore europiane, ndërtimi përbënte 5.1% të PBB-së në Itali, 5% në Francë dhe 4.5% në Gjermani.

Roli i lartë i ndërtimit është reflektuar edhe në rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të INSTAT, sektori i ndërtimit kontribuoi me 0.54 pikë përqindje në rritjen ekonomike, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.45 pikë përqindje.

Në të njëjtën kohë, bujqësia dhe industria vijuan të përballen me tkurrje. Bujqësia u reduktua me 2% gjatë vitit 2025, ndërsa industria me 1.6%, duke nxjerrë në pah kontrastin mes zgjerimit të ndërtimit dhe dobësimit të disa sektorëve të tjerë të ekonomisë.

Të dhënat tregojnë kështu një ekonomi ku ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë marrë një peshë të jashtëzakonshme, ndërsa sektorë me rëndësi të madhe për punësimin, si bujqësia dhe industria, kanë shfaqur performancë më të dobët.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit