Transmetuar më 31-08-2026, 07:43

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për qëndrimin ndaj planeve të Izraelit për ndërtimin e banesave në zonën E1 të Bregut Perëndimor, duke e akuzuar bllokun për standarde të dyfishta.

Në një postim në platformën X, Netanyahu përmendi situatën në Qipro, duke pretenduar se BE-ja hesht për praninë ushtarake turke në pjesën veriore të ishullit, ndërsa kritikon Izraelin për politikat e tij në territoret palestineze.

Netanyahu shprehu gjithashtu mbështetje për kryeministrin slloven Janez Janša, pasi Sllovenia bllokoi një deklaratë të përbashkët të vendeve anëtare të BE-së që dënonte planin izraelit për ndërtimin e më shumë se 1,200 banesave në zonën E1.

Sipas BE-së, projekti në fjalë rrezikon të ndajë Bregun Perëndimor dhe të pengojë krijimin e një shteti të qëndrueshëm palestinez. Brukseli e konsideron zgjerimin e vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Për shkak të kundërshtimit të Sllovenisë, deklarata nuk mori mbështetjen unanime të 27 vendeve anëtare dhe u publikua më pas nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.

Vendimi i qeverisë sllovene ka shkaktuar përplasje edhe në politikën e brendshme të vendit. Presidentja Nataša Pirc Musar e ka kritikuar qëndrimin e qeverisë, ndërsa Janša ka mbrojtur vendimin, duke theksuar të drejtën e Sllovenisë për të përcaktuar politikën e saj të jashtme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit