

Një cisternë tregtare është goditur nga një predhë e paidentifikuar teksa po hynte në Gjirin Persik përmes Ngushticës së Hormuzit. Incidenti është raportuar më 29 gusht, rreth 12 milje detare në veri të Khasabit, në Oman.
Sipas të dhënave të raportuara nga EOS Marine, cisterna u godit gjatë tranzitit në drejtim të Gjirit Persik. Ende nuk është përcaktuar nëse predha ishte raketë, dron apo armë e një tjetër lloji.
Nga incidenti nuk raportohet për të plagosur në ekuipazh, ndërsa nuk janë evidentuar as ndotje apo dëme mjedisore. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e goditjes dhe përgjegjësit për incidentin.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike për transportin global të naftës dhe gazit. Kompanive detare u është rekomanduar të rrisin vigjilencën dhe të monitorojnë vazhdimisht trafikun detar dhe kërcënimet e mundshme ajrore.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura emri i cisternës, flamuri i saj apo kompania që e menaxhon. Hetimet vijojnë, ndërsa priten të dhëna të reja për rrethanat e incidentit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






