Transmetuar më 30-08-2026, 22:53

30 gusht 2026 – Është identifikuar viktima e të shtënave me armë zjarri në një festë rave në Aarau të Zvicrës. Bëhet fjalë për Maria Spinelli, 22 vjeçe, me origjinë nga Atri, Itali.

E reja italiane ndodhej në një aktivitet muzikor në zonën e hipodromit në Schachen, kur ndaj turmës u qëllua me armë zjarri. Përveç 22-vjeçares, pesë persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre edhe dy shtetas italianë.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, në momentin kur festa po përfundonte dhe pjesëmarrësit kishin nisur të largoheshin. Sipas dëshmive të mbledhura nga autoritetet, disa prej tyre fillimisht i morën të shtënat për fishekzjarre, përpara se situata të kthehej në panik.

Një person i armatosur dyshohet se ka qëlluar në drejtim të zonës ku ndodheshin pjesëmarrësit dhe më pas është larguar drejt një zone pyjore.

Policia zvicerane ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë. Autoritetet po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme, përfshirë edhe mundësinë e një motivi terrorist, por deri në këtë fazë nuk ka një konfirmim zyrtar për një të tillë.

Reagime nga Italia

Vdekja e Maria Spinellit ka shkaktuar reagime edhe në Itali. Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe solidaritetin me të gjithë personat e prekur nga ngjarja.

Ministria e Jashtme italiane, përmes Njësisë së Krizave, ambasadës në Bernë dhe Konsullatës së Përgjithshme në Bazel, po ndjek situatën dhe po ofron asistencë për familjen e 22-vjeçares.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, zhvilloi gjithashtu një bisedë me homologun e tij zviceran, Ignazio Cassis. Sipas autoriteteve italiane, Cassis ka garantuar bashkëpunimin e institucioneve zvicerane për hetimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Ndërkohë, policia vijon kërkimet dhe u ka bërë thirrje dëshmitarëve që disponojnë fotografi ose video nga momenti i të shtënave t’ua dorëzojnë autoriteteve.

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e sulmit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit