Transmetuar më 30-08-2026, 23:45

30 gusht 2026 – Islandezët kanë votuar kundër rihapjes së negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, në një referendum që mund të ndikojë edhe në dinamikën e procesit të zgjerimit të bllokut.

Sipas rezultatit të referendumit, 52.8% e votuesve votuan kundër, ndërsa 47.2% në favor të rihapjes së negociatave.

Komisioni Evropian reagoi duke deklaruar se respekton vendimin e qytetarëve islandezë.

“Komisioni Evropian e merr parasysh rezultatin e referendumit të Islandës. Komisioni respekton zgjedhjen e popullit islandez. Islanda mbetet një partnere e ngushtë e Bashkimit Evropian”, tha një zëdhënës i Komisionit.

Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, zhvilloi një komunikim me kryeministren islandeze Kristrún Frostadóttir. Sipas zëdhënësit të Costa-s, të dy liderët shprehën gatishmërinë për të vijuar forcimin e marrëdhënieve mes Islandës dhe BE-së.

Costa theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian respekton plotësisht zgjedhjen demokratike të popullit islandez, duke e cilësuar Islandën si një nga partnerët më të afërt dhe më të besuar të Unionit.

Frostadóttir: Do ta lëmë mënjanë çështjen e anëtarësimit

Kryeministrja Kristrún Frostadóttir kishte deklaruar më herët se, në rast të një vote kundër, çështja e anëtarësimit në BE do të lihej mënjanë për pjesën e mbetur të mandatit të saj.

Pas rezultatit, ajo u shpreh se fakti që 47% e votuesve ishin shprehur në favor të rihapjes së negociatave duhet të merret në konsideratë.

“Është e rëndësishme që në javët dhe muajt e ardhshëm ta respektojmë këtë pikëpamje”, deklaroi ajo.

Peshkimi dhe bujqësia, dy çështjet më të ndjeshme

Islanda konsiderohej nga zyrtarët dhe diplomatët evropianë si një prej vendeve që mund të avanconte relativisht shpejt drejt anëtarësimit, për shkak të integrimit të gjerë ekonomik dhe institucional me BE-në.

Vendi ka akses të gjerë në tregun e vetëm evropian përmes marrëveshjeve ekzistuese, por nuk është pjesë e Politikës së Përbashkët të Peshkimit dhe Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së.

Pikërisht peshkimi dhe bujqësia pritej të ishin ndër çështjet më të vështira në rast të rihapjes së negociatave. Bisedimet e mëparshme mes Reykjavík-ut dhe Brukselit u pezulluan në vitin 2013.

Çfarë do të thotë vota për zgjerimin e BE-së?

Rezultati i referendumit vjen në një periudhë kur zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në qendër të axhendës politike, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës.

Mali i Zi mbetet aktualisht një nga kandidatët më të avancuar, pasi ka mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt e negociatave të anëtarësimit. Podgorica synon anëtarësimin në vitin 2028.

Në këtë kuadër, integrimi i vendeve të reja shihet si një proces strategjik për BE-në, ndërsa Brukseli po shqyrton edhe mënyra për t’u ofruar vendeve kandidate përfitime konkrete përpara anëtarësimit të plotë.

Pavarësisht rezultatit të referendumit, institucionet evropiane kanë sinjalizuar se marrëdhëniet me Islandën do të vijojnë të mbeten të ngushta, ndërsa vendimi për anëtarësimin e saj në BE mbetet për momentin jashtë agjendës politike të Reykjavík-ut.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit