Transmetuar më 30-08-2026, 22:38

Tiranë, 30 gusht 2026 – Abdullahu, 9 vjeç, ka mbërritur në Shqipëri pas një fëmijërie të kaluar në kushtet e vështira të kampeve të Sirisë, duke u rikthyer pranë familjarëve të tij në vendin e origjinës së prindërve.

Historia e tij është ndër më të dhimbshmet mes fëmijëve shqiptarë të riatdhesuar nga kampet siriane. I mituri ka humbur të atin, Bledar Hamza, i cili u vra në Siri pasi iu bashkua luftimeve në krah të ISIS-it. Ndërkohë, për nënën e tij, Resmie Hamza, si dhe për dy motrat, nuk ka pasur prej vitesh informacion të qartë mbi fatin e tyre.

Abdullahu mbërriti në Shqipëri më 26 gusht, i shoqëruar nga 79-vjeçarja Hajrije Taushani, e cila kishte udhëtuar më herët drejt Sirisë në kërkim të familjarëve të saj. Gjatë qëndrimit në kampin Al-Hol, Taushani ishte kujdesur edhe për disa fëmijë shqiptarë që ndodheshin atje.

Historia e familjes

Bledar Hamza kishte lindur në vitin 1985 në Leshnicë të Pogradecit. Ai kishte kryer studimet e larta në Itali, ku jetonte familja e tij, dhe ishte diplomuar në Financë.

Në vitin 2012 u kthye në Shqipëri së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tyre të vogël. Më pas, familja u zhvendos në Tiranë.

Sipas të dhënave të publikuara për rastin, në vitin 2013 Bledar Hamza u largua drejt Sirisë. Familjarëve u kishte thënë se do të punonte si kuzhinier në Arabinë Saudite, ndërsa më vonë rezultoi se ishte bashkuar me grupin terrorist ISIS.

Disa muaj më pas, drejt Sirisë u largua edhe bashkëshortja e tij, Resmie, së bashku me vajzën e tyre, Saida.

Më vonë, familjarët mësuan se Bledar Hamza, i njohur në Siri edhe me emrin “Ebu Samed”, ishte vrarë në luftime. Në Siri, çifti kishte edhe dy fëmijë të tjerë, Merjemen dhe Abdullahun.

Bledar Hamza, babai i 9-vjeçarit i vrarë në Siri

Vitet në kampet siriane

Në vitin 2020, Merjemja u identifikua në kampin Al-Hol, ndërsa për nënën e saj dhe motrën Saida familjarët humbën kontaktet.

Abdullahu kaloi vitet e para të jetës në Al-Hol dhe më pas u transferua në një tjetër zonë të Sirisë, përpara se të përfshihej në procesin e riatdhesimit.

Më 26 gusht 2026, ai u kthye në Shqipëri dhe iu dorëzua familjarëve nga ana e nënës, të cilët kanë marrë përsipër kujdesin për të.

Pavarësisht fëmijërisë së kaluar në kushte të vështira, Abdullahu ka mësuar gjuhën shqipe, duke ruajtur një lidhje me origjinën e prindërve të tij.

Tashmë, 9-vjeçari ndodhet pranë njerëzve që biologjikisht i përkasin familjes së tij, por që për pjesën më të madhe të jetës nuk i kishte njohur. Rikthimi në Shqipëri shënon për të një fillim të ri, pas vitesh të kaluara mes pasojave të luftës dhe krizës humanitare në Siri.

Burimi: Shqiptarja.com

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit