

LEZHË – Ritvan Pali është rikthyer në radhët e Policisë së Shtetit pas një shkëputjeje rreth nëntëmujore nga detyra. Ai është emëruar në pozicionin e Shefit të Operacionales në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Pali ka një përvojë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe formim juridik. Emërimi i tij në Lezhë vjen pas një periudhe të karakterizuar nga zhvillime të rëndësishme në karrierën e tij profesionale.
Më 4 prill 2025, në kohën kur drejtonte Komisariatin e Policisë Nr. 2 në Tiranë, Pali ishte në krye të operacionit për arrestimin e Altin Morinës, ish-efektiv i RENEA-s, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Pas këtij operacioni, Pali u përball me masa disiplinore dhe ndryshime në detyrë. Ai e apeloi vendimin në Gjykatën Administrative, e cila, sipas të dhënave të bëra publike, vendosi në favor të tij duke shfuqizuar masën.
Pas vendimit gjyqësor, Pali zgjodhi të largohej përkohësisht nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Tashmë, pas rreth nëntë muajsh, ai rikthehet në detyrë dhe merr drejtimin e Operacionales në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Rikthimi i tij në strukturat e Policisë së Shtetit vjen pas ndryshimeve në drejtimin e lartë të institucionit, me Skënder Hitën në krye të Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






