Transmetuar më 30-08-2026, 16:04

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares së Partisë Socialiste në Vlorë, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të strukturave të partisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ismaili tha se drejtimi i strukturës së PS-së në Vlorë për një vit e tre muaj ka qenë njëkohësisht privilegj dhe përgjegjësi. Ajo theksoi se gjatë kësaj periudhe është përpjekur ta ushtrojë detyrën me përkushtim, korrektësi dhe integritet.

Sipas ministres, dorëheqja nga posti i bashkëkryetares synon t’i hapë rrugë procesit të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste në Vlorë.

“Sot, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, jap dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares, duke i hapur rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste të Vlorës”, shkruan Ismaili.

Në reagimin e saj, ministrja falënderoi anëtarët, drejtuesit dhe bashkëpunëtorët e Partisë Socialiste në Vlorë për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë periudhës së drejtimit të saj.

Ismaili vlerësoi gjithashtu kontributin e tyre në funksion të një modeli drejtimi të bazuar, sipas saj, te përgjegjësia dhe respekti për njerëzit.

Dorëheqja vjen në kuadër të procesit të riorganizimit të strukturave të Partisë Socialiste dhe pritet të pasohet nga përzgjedhja e drejtuesve të rinj të strukturës së PS-së në Vlorë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit