

Një 45-vjeçare, e identifikuar si Ina Cakaj, dyshohet se u merrte shuma të konsiderueshme parash familjeve të prekura nga tërmeti i vitit 2019, duke u premtuar se do t’i ndihmonte të përfitonin banesa të reja ose dëmshpërblime.
Cakaj u arrestua pak ditë më parë nga Policia e Tiranës, ndërsa në kuadër të hetimit janë zbardhur edhe detaje të mënyrës se si dyshohet se vepronte.
Në fokus të rastit është një video-regjistrim i siguruar nga JOQ Albania, ku 45-vjeçarja shfaqet duke iu drejtuar disa banorëve në Fushë-Krujë dhe prezantohet si “këshilltare” e një projekti që, sipas saj, ishte ngritur nga kryeministri Edi Rama për familjet që ende nuk kishin përfituar banesat e premtuara pas tërmetit.
Sipas regjistrimit, Cakaj u kërkonte banorëve 2 milionë lekë dhe dokumente të ndryshme, duke pretenduar se brenda 24 orëve do të merrnin një mesazh nga Këshilli i Ministrave për miratimin e dhënies së çelësave të apartamenteve.
Ajo, sipas videos, prezantohej si personi përgjegjës për zonën e Fushë-Krujës dhe pretendonte se kishte për detyrë të identifikonte 20 familje që do të përfitonin nga një projekt të cilin e quante “La Mama”.
Hetimi i policisë
Sipas hetimeve, pretendimet e 45-vjeçares dyshohet se ishin pjesë e një skeme mashtrimi. Policia dyshon se Cakaj paraqitej si person me lidhje dhe ndikim në administratën shtetërore, duke krijuar te qytetarët bindjen se kishte mundësi të ndërhynte në procedurat për përfitimin e banesave apo ndihmave shtetërore.
Në këmbim të ndërhyrjes së pretenduar, ajo dyshohet se kërkonte shuma që varionin nga 1 mijë deri në 10 mijë euro për person.
Deri në këtë fazë të hetimit, rreth 30 qytetarë në zonën e Fushë-Krujës dyshohet se kanë rënë pre e kësaj skeme, ndërsa dëmi financiar i shkaktuar llogaritet në rreth 60 milionë lekë të vjetra.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar dokumente dhe certifikata familjare që u përkasin personave të dyshuar si të përfshirë në skemë.
Materialet procedurale ndaj 45-vjeçares janë referuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
Hetimi vijon për të dokumentuar plotësisht rastin dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






