Transmetuar më 30-08-2026, 12:19

Korçë, 30 gusht 2026 – Dy vëllezër janë arrestuar nga Policia e Korçës pas një konflikti fizik me fqinjët, që dyshohet se nisi pas një përplasjeje mes fëmijëve të dy familjeve.

Në pranga kanë përfunduar Ramadan Hasani, 32 vjeç, dhe Xhon Hasani, 28 vjeç, pas një konflikti të regjistruar mbrëmjen e së shtunës në lagjen nr. 8 të qytetit të Korçës.

Sipas policisë, nga përplasja kanë mbetur të dëmtuar Bledar dhe Anci Gegolli, të cilët janë fqinj me dy vëllezërit e arrestuar.

Ngjarja është shënuar rreth orës 19:00 dhe, sipas hetimeve paraprake, konflikti ka nisur për motive të dobëta. Fillimisht dyshohet se janë konfliktuar fëmijët e dy familjeve pranë banesave të tyre, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar dhe në përplasje janë përfshirë edhe të rriturit.

Konflikti ka përfunduar në dhunë fizike, ku Bledar dhe Anci Gegolli kanë pësuar dëmtime dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal të Korçës për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas policisë, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë përplasjes është dëmtuar edhe një automjet, të cilit dyshohet se i janë thyer xhamat me një lopatë metalike.

Pas veprimeve hetimore, Policia e Korçës ka arrestuar në flagrancë dy vëllezërit, të dyshuar për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit