

Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një party rave në qytetin e Aaraut, në veri të Zvicrës.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit, rreth orës 03:00, në hipodromin e Schachenit, ku po zhvillohej një aktivitet muzikor.
Policia Kantonale e Aargaut njoftoi se një person ka ndërruar jetë, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sipas autoriteteve, mes të plagosurve ka edhe persona në gjendje të rëndë shëndetësore.
Deri tani, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten të paqarta. Nuk dihet ende se kush ka qëlluar me armë dhe cili ka qenë motivi i sulmit.
Gazeta zvicerane “Blick” raporton se në një video të regjistruar pranë vendit të ngjarjes dëgjohen rreth dhjetë të shtëna me armë zjarri.
Forca të shumta policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe zona është rrethuar. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin zonën, ndërsa dëshmitarëve u është kërkuar të dorëzojnë fotografi dhe video që mund të ndihmojnë hetimin.
Aarau, kryeqendra e kantonit Aargau, ndodhet rreth 40 kilometra në perëndim të Cyrihut dhe ka rreth 23 mijë banorë.
Hetimet për zbardhjen e rrethanave të të shtënave dhe identifikimin e autorit ose autorëve vijojnë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






