

Një drejtues mjeti lundrues është ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj gjobë, pasi është konstatuar duke lëvizur me Jet Ski brenda perimetrit të sigurisë në zonën e përcaktuar për pushuesit në Ksamil.
Ngjarja është konstatuar gjatë patrullimit të shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në sektorin detar të Ksamilit, në zonën e njohur si “Ishujt e Ksamilit”.
Sipas policisë, mjeti lundrues kishte shkelur perimetrin e sigurisë dhe ishte futur në hapësirën ku pushuesit po laheshin, duke krijuar rrezik për jetën dhe sigurinë e tyre.
Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë për ndalimin e Jet Skit. Pas përfundimit të procedurave administrative, mjeti lundrues është bllokuar, ndërsa drejtuesi, shtetasi P. A., është ndëshkuar me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë patrullimet dhe kontrollet përgjatë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Autoritetet u bëjnë apel përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e përcaktuar të sigurisë dhe të mos hyjnë në zonat e destinuara për pushuesit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






