Transmetuar më 30-08-2026, 10:01

Nelson Hysa vijon të mbetet i pamposhtur në boksin profesionist. Boksieri shqiptar regjistroi një tjetër fitore bindëse, duke mposhtur norvegjezin Thomas Narmo në vetëm dy raunde, në duelin e zhvilluar të shtunën në O2 Arena të Londrës.

Hysa, 41 vjeç, u ngjit në ring në kuadër të mbrëmjes së boksit ku zhvillohej edhe përballja mes Moses Itauma dhe Filip Hrgovic. Përballë tij ishte Narmo, një tjetër peshë e rëndë që hynte në duel pa humbje në karrierë.

Por përballja zgjati shumë pak.

Në raundin e dytë, pas vetëm 36 sekondash, Hysa goditi fuqishëm me të djathtën, duke kapur Narmon në një moment kur norvegjezi po tentonte të avanconte. Goditja e rrëzoi në tapet.

Narmo arriti të ngrihej, por ishte dukshëm i tronditur dhe nuk mund të qëndronte mirë në këmbë. Arbitri vendosi të ndërpresë menjëherë duelin, duke i dhënë fitoren Hysës. Mjekët hynë në ring për t’i dhënë ndihmën e nevojshme norvegjezit, i cili më pas u largua nga ring-u në këmbët e tij.

Me këtë sukses, Hysa e çon rekordin e tij në 25 fitore dhe asnjë humbje, ndërsa 23 prej këtyre fitoreve kanë ardhur me nokaut. Boksieri shqiptar vijon të synojë një përballje të nivelit më të lartë dhe një mundësi për titull bote.

Përplasje verbale me Agit Kabayel

Pas përfundimit të duelit, tensioni u zhvendos edhe jashtë ringut. Hysa pati një përplasje verbale me boksierin gjerman Agit Kabayel, pranë vendeve të spektatorëve. Ndërhyrja e sigurisë bëri që situata të mos përshkallëzohej.

Kabayel deklaroi se Hysa po kërkon një përballje me të dhe u shpreh i gatshëm që dueli të zhvillohet në Gjermani.

“Le të vijë në Gjermani, jam gati. Është para e lehtë dhe një luftë e lehtë”, deklaroi Kabayel.

Nga ana tjetër, Hysa ishte i drejtpërdrejtë në deklaratën e tij pas fitores, duke kërkuar një kundërshtar të nivelit të lartë.

“Shkova te Kabayel sepse ai vazhdon të më shmangë. Të gjithë po largohen. Jam 25-0 dhe duhet të luftoj për titullin”, u shpreh boksieri shqiptar.

Hysa iu drejtua gjithashtu promotorëve të tij me një kërkesë të qartë për një tjetër përballje të madhe:

“Frank, George, më jepni një boksier të nivelit të lartë. Çfarë është kjo? Unë dua Agit Kabayel dhe të gjithë kampionët.”

Pas një tjetër fitoreje në karrierën e tij, Nelson Hysa kërkon tashmë hapin më të madh: një duel me emrat kryesorë të kategorisë së peshave të rënda dhe mundësinë për të luftuar për një titull bote.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit