

RUSI – Një zjarr ka shpërthyer në një rafineri nafte në rajonin e Leningradit, në veriperëndim të Rusisë, pas rrëzimit të një droni ukrainas, sipas autoriteteve ruse.
Guvernatori i rajonit të Leningradit, Alexander Drozdenko, deklaroi se zjarri u shkaktua pas rrëzimit të një droni pranë rafinerisë. Ekipet e emergjencës janë angazhuar në vendngjarje për përballimin e situatës.
Deri tani, autoritetet nuk kanë raportuar për persona të lënduar.
Sipas të dhënave paraprake, objekti i prekur është rafineria “Kirishinefteorgsintez”, në qytetin e Kirishit, një prej impianteve të rëndësishme të përpunimit të naftës në këtë rajon.
Drozdenko bëri të ditur gjithashtu se 42 dronë janë rrëzuar mbi rajonin e Leningradit, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore vijonin operacionet.
Sulmet me dronë ndaj infrastrukturës energjetike ruse janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, në kuadër të përpjekjeve të Ukrainës për të goditur objektet që konsiderohen të rëndësishme për ekonominë dhe kapacitetet ushtarake të Rusisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






