

ABU DHABI – Kristjan Asllani ka zyrtarizuar kapitullin e ri të karrierës së tij. Mesfushori i Kombëtares shqiptare është prezantuar si futbollist i Al Jazira në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i dhënë fund aventurës me Interin pas katër sezonesh.
24-vjeçari kalon te klubi nga Abu Dhabi në formën e huazimit, ndërsa marrëveshja mes palëve përfshin edhe një opsion që mund të kthehet në detyrim blerjeje në varësi të aktivizimeve të tij gjatë sezonit.
Operacioni financiar parashikon 1.5 milionë euro për huazimin, ndërsa në rast të plotësimit të kushteve të përcaktuara në kontratë, Al Jazira do të paguajë edhe 5 milionë euro për kartonin e mesfushorit shqiptar.
Transferimi shënon një ndryshim të rëndësishëm për Asllanin, i cili ishte bashkuar me Interin në vitin 2022, pas paraqitjeve të tij me Empolin. Në Milano, mesfushori nuk arriti të siguronte një vend të rregullt në formacion për shkak të konkurrencës së fortë në repartin e mesfushës.
Kalimi në futbollin e Emirateve i jep Asllanit mundësinë për të pasur një rol më të rëndësishëm dhe më shumë minuta në fushë. Në të njëjtën kohë, performancat e tij do të jenë vendimtare edhe për të ardhmen e marrëveshjes dhe mundësinë e transferimit përfundimtar.
Asllani bëhet pjesë e grupit të futbollistëve shqiptarë që aktivizohen në Lindjen e Mesme, mes të cilëve Berat Gjimshiti, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani.
Pas katër vitesh në futbollin italian, mesfushori kuqezi nis kështu një eksperiencë të re në Emiratet e Bashkuara Arabe, me synimin për të fituar një rol më të rëndësishëm dhe për të vijuar zhvillimin e karrierës së tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






