

ATHINË/ANKARA – Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë janë përfshirë sërish në një përplasje diplomatike për Egjeun, këtë herë pas miratimit nga Athina të një plani të ri për zhvillimin industrial, ekonomik dhe logjistik të territorit grek.
Plani, i cili ka hyrë në fuqi më 28 gusht, përcakton zonat ku mund të zhvillohen aktivitete industriale dhe biznesi, si dhe rregullat që duhet të zbatohen për mbrojtjen e mjedisit. Dokumenti përfshin edhe zona ishullore në Egje, çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Ankarasë.
Ministria e Jashtme turke ka deklaruar se vendimet e marra në mënyrë të njëanshme nga Greqia nuk prodhojnë pasoja juridike për Turqinë. Ankaraja ka rikthyer në vëmendje qëndrimin e saj se në Egje ekzistojnë ishuj, ishujza dhe formacione gjeografike për të cilat, sipas saj, sovraniteti grek nuk është përcaktuar përmes traktateve ndërkombëtare.
Për Athinën, këto pretendime janë të papranueshme.
Ministria e Jashtme greke i ka cilësuar deklaratat e Ankarasë si “të pabazuara dhe të papranueshme”, duke këmbëngulur se statusi i sovranitetit në Egje përcaktohet nga traktatet ndërkombëtare në fuqi.
Athina ka theksuar gjithashtu se plani i ri nuk ka karakter ushtarak dhe nuk ndryshon kufijtë. Sipas qeverisë greke, bëhet fjalë për një instrument ekonomik dhe urbanistik që përcakton se ku dhe në çfarë kushtesh mund të zhvillohen industria, aktivitetet tregtare dhe qendrat logjistike.
Për zonat urbane si Athina dhe Selaniku, dokumenti vendos kufizime për ndërtimin e fabrikave të reja jashtë zonave të organizuara industriale. Ndërsa për ishujt parashikohen kritere të veçanta, duke marrë në konsideratë hapësirën e kufizuar dhe nevojën për mbrojtjen e mjedisit.
Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i debatit. Athina argumenton se po përcakton rregulla për zhvillimin ekonomik brenda territorit që e konsideron sovran, ndërsa Ankaraja kundërshton përfshirjen e disa zonave të Egjeut në dokumentet greke, duke thënë se një veprim i tillë nuk mund të përdoret si bazë për përcaktimin e sovranitetit.
Megjithatë, pavarësisht retorikës së ashpër, Turqia ka lënë të hapur mundësinë për dialog. Ministria e Jashtme turke ka deklaruar se Ankaraja vijon të mbështesë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në përputhje me Deklaratën e Athinës të dhjetorit 2023, dhe se mbetet e gatshme për bashkëpunim me Greqinë.
Përplasja e fundit vjen vetëm pak ditë pas një tjetër mosmarrëveshjeje mes dy vendeve lidhur me planet greke për energjinë e rinovueshme dhe krijimin e parqeve detare në Egje. Edhe në atë rast, Ankaraja riktheu në tryezë pretendimet për statusin e disa ishujve dhe formacioneve gjeografike në zonë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






