

TIRANË – Është mbyllur pas disa orësh protesta e 91-të e rezistencës qytetare në Tiranë, e zhvilluar këtë të shtunë përpara Kryeministrisë dhe në rrugët e kryeqytetit.
Tubimi nisi me mbledhjen e qytetarëve përpara godinës së qeverisë, ku gjatë fjalimeve u artikuluan kritika dhe akuza ndaj qeverisë. Kërkesa kryesore e protestuesve vijoi të ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestës u shfaqën pankarta me mesazhe kundër qeverisë, ndërsa pjesëmarrësit deklaruan se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga aksioni i tyre qytetar.
“Koha nuk na lodh, na forcon” ishte një prej mesazheve të përcjella gjatë tubimit. Një tjetër protestues, duke iu referuar kryeministrit, deklaroi se “Rama numëron ditët që i kanë ngelur”.
Në protestë u dëgjuan gjithashtu kërkesa që lidhen me problematikat sociale. Një prej pensionistëve pjesëmarrës kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe më shumë mbështetje për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara.
Në fjalimet e mbrëmjes u përmend edhe diaspora, me thirrje për bashkimin e grupeve të ndryshme shoqërore dhe profesionale dhe për një pjesëmarrje më të gjerë në protestat e ardhshme.
Pas përfundimit të fjalimeve, qytetarët marshuan në disa prej rrugëve të Tiranës, duke vijuar me thirrjet kundër qeverisë.
Me protestën e sotme, aksioni qytetar shënon 91 ditë radhazi, ndërsa pjesëmarrësit kanë paralajmëruar rikthimin në shesh dhe vijimin e protestave në ditët në vazhdim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






