

TIRANË – Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të Shqipërisë, ndërsa dy të tjera po mbahen nën monitorim. Të dhënat janë bërë publike nga Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e fundit për situatën e zjarreve në vend.
Sipas bilancit të orës 20:00 të 29 gushtit, gjatë ditës janë raportuar gjithsej 16 vatra zjarri. Për përballimin e situatës janë angazhuar 228 forca operacionale, 10 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.
Vëmendja kryesore e ekipeve është përqendruar në zonat ku zjarret janë riaktivizuar ose shtrihen në sipërfaqe të mëdha.
Në Dajt, Qafë-Priskë, zjarri ka shfaqur riaktivizime. Në terren janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.
Në Vajkal të Bulqizës, flakët vijojnë në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 31 forca vendore dhe vullnetare, 30 efektivë të FA-së dhe një helikopter.
Një tjetër vatër aktive raportohet në Sllatinë të Dibrës, në një sipërfaqe pyjore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacion janë përfshirë 78 forca dhe një helikopter, ndërsa aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë të Helmës, Bulqizë, zjarri vijon të monitorohet dhe nuk raportohet për zhvillime të reja apo rrezik për banesat. Ndërsa në Kroi i Madh, Krujë, po punohet me dy automjete zjarrfikëse dhe situata është drejt normalizimit.
Dy vatra të tjera, në malin e Dardhës në Librazhd dhe malin e Qukësit në Prrenjas, janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarret në Komsi të Matit dhe Delisuf të Vlorës janë shuar plotësisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






