Transmetuar më 29-08-2026, 22:47

MOGADISHU – Një operacion i përbashkët i Marinës Turke dhe Ushtrisë Kombëtare Somaleze ka përfunduar me çlirimin e anijes së mallrave “MV LATUF”, e cila ishte marrë nën kontroll nga piratët më 17 gusht në brigjet e Puntlandit.

Operacioni zgjati rreth 10 ditë dhe u shoqërua me një përballje të ashpër me grupet pirate. Gjatë aksionit ushtarak, forcat e përfshira kanë shkatërruar katër mjete lundruese që dyshohet se përdoreshin nga sulmuesit, ndërsa 14 piratë janë vrarë.

Pas presionit të vazhdueshëm nga forcat ushtarake, personat e armatosur që kishin marrë kontrollin e anijes u detyruan ta braktisnin atë, duke i dhënë fund pengmarrjes.

“MV LATUF”, që lundron me flamurin e Kamerunit, ishte nisur nga Turqia në fund të korrikut me destinacion Tanzaninë. Në momentin e sekuestrimit, në bord ndodheshin të paktën tetë anëtarë ekuipazhi.

Pas lirimit, anija ka vijuar udhëtimin nën monitorimin e forcave turke, ndërsa autoritetet kanë garantuar sigurinë e ekuipazhit.

mediat ndërkombëtare është raportuar se anija mund të ketë pasur armë turke në ngarkesë, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet somaleze. Ministria e Mbrojtjes në Mogadishu nuk ka dhënë detaje lidhur me përmbajtjen e ngarkesës.

Operacioni zhvillohet në një periudhë kur pirateria në brigjet e Somalisë dhe në zonën e Bririt të Afrikës po shfaq sërish shenja të rritjes. Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), që nga fillimi i vitit janë regjistruar të paktën 15 sulme, niveli më i lartë që prej vitit 2013.

Ndërkohë, raportohet se të paktën pesë anije të tjera vijojnë të jenë nën kontrollin e piratëve somalezë në rajon.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit