

TIRANË – Laçi ka marrë fitoren e parë në kampionat, duke mposhtur 2-1 Partizanin në transfertë, ndërsa Elbasani dhe Vllaznia kanë ndarë nga një pikë në barazimin 1-1. Dy sfidat hapën javën e dytë të Kategorisë Superiore.
Bibo i jep fitoren Laçit
Kurbinasit festuan ndaj Partizanit falë një performance vendimtare të Stiven Bibos, i cili realizoi të dy golat e Laçit.
Sulmuesi zhbllokoi takimin që në minutën e 8-të, me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës që përfundoi në rrjetën e mbrojtur nga Qirko.
Partizani e pati të vështirë të reagonte, ndërsa situata u komplikua edhe më shumë në fundin e pjesës së parë. Marku u ndëshkua me karton të kuq në minutat shtesë, duke lënë të kuqtë me një lojtar më pak.
Laçi shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në minutën e 75-të Bibo shënoi sërish, duke çuar shifrat në 2-0.
Partizani arriti të ngushtojë diferencën në fund me anë të Aliut, por goli nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e takimit.
Me këtë sukses, Laçi ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Partizani mbetet me vetëm 1 pikë pas dy javëve të para.
Elbasani dhe Vllaznia, barazim me dramë në fund
Në sfidën tjetër, Elbasani dhe Vllaznia u ndalën në barazimin 1-1 në një përballje që pati zhvillime të forta në minutat e fundit.
Vllaznia kaloi në avantazh në minutën e 18-të me Muratajn, ndërsa vendasit gjetën baraspeshën në minutën e 75-të, kur Hebaj riktheu ekuilibrin në rezultat.
Shkodranët patën mundësinë të merrnin sërish avantazhin në kohën shtesë, por dy golat e shënuar u anuluan për pozicion jashtë loje.
Në rastin e parë, goli i Tafilit u anulua pasi Perez ishte në pozicion të parregullt dhe ndikoi në pamjen e portierit. Pak më vonë, edhe goli i Mustës nuk u quajt i vlefshëm për shkak të pozicionit jashtë loje.
Elbasani dhe Vllaznia regjistrojnë kështu barazimin e dytë radhazi në kampionat, pas rezultateve të njëjta në javën hapëse.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






