Transmetuar më 29-08-2026, 22:05

FIER – Këngëtari i muzikës popullore, Bledar Hoxhaj, ka denoncuar një rast vjedhjeje të ndodhur gjatë ceremonisë mortore të kushëririt të tij të parë.

Sipas denoncimit të bërë prej tij në rrjetet sociale, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00, ndërsa Hoxhaj dhe familjarët e tij po merrnin pjesë në ceremoninë e përcjelljes së të afërmit për në banesën e fundit.

Sipas këngëtarit, një person ka hyrë në automjetin e tij tip “Audi Q5”, ngjyrë gri e errët, dhe ka marrë paratë që ndodheshin në portofolin e lënë brenda makinës.

Hoxhaj pretendon se momenti i vjedhjes është dokumentuar nga kamerat e sigurisë. Në pamjet, sipas tij, shihet edhe personi duke hyrë në automjet. Pas vjedhjes, autori është larguar me një automjet tip “Opel”, ngjyrë gri e hapur.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtari u ka bërë apel qytetarëve për ndihmë për identifikimin e personit dhe automjetit të përdorur.

“Gjatë ceremonisë mortore të vëllait tim (kushëri i parë), rreth orës 10 e pak minuta, një person është futur në makinën time Audi Q5, ngjyrë gri e errët, dhe ka marrë vetëm paratë që ndodheshin brenda portofolit”, shkruan Hoxhaj.

Ai ka bërë me dije se pamjet e kamerave të sigurisë do t’u dorëzohen organeve përkatëse dhe ka kërkuar që kushdo që mund të ketë informacion për personin apo automjetin të kontaktojë me të.

Ngjarja ka marrë një tjetër peshë për këngëtarin, pasi vjedhja ka ndodhur në një ditë zie, ndërsa ai dhe familjarët po përcillnin kushëririn e tij për në banesën e fundit.

Reagimi i plotë:

APEL PËR NDIHMË!

Gjatë ceremonisë mortore të vëllait tim (kushëri i parë), rreth orës 10 e pak minuta, një person është futur në makinën time Audi Q5, ngjyrë gri e errët, dhe ka marrë vetëm paratë që ndodheshin brenda portofolit. Portofolin e ka lënë në makinë.

Gjithçka është e filmuar nga kamerat e sigurisë, përfshirë momentin kur personi futet në makinë. Pas kësaj, personi largohet me një makinë Opel, ngjyrë gri e hapur.

Nëse dikush e njeh personin, ka parë makinën ose ka ndonjë informacion që mund të ndihmojë, ju lutem të më kontaktojë.

Pamjet do t’u dorëzohen organeve përkatëse.

Në një ditë zie, kur isha duke përcjellë vëllain tim për në banesën e fundit, është shumë e dhimbshme të ndodhë edhe diçka e tillë.

Ju lutem, shpërndajeni që informacioni të arrijë te personi i duhur.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit