

VAU I DEJËS – Një incident i rëndë me energjinë elektrike ka përfunduar me një viktimë dhe një person të plagosur rëndë në Vaun e Dejës.
Ngjarja ka ndodhur pasi dy persona, një 40-vjeçar që punonte si roje në një lokal dhe një 46-vjeçar me profesion elektricist, kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.
Sipas njoftimit paraprak të policisë, 40-vjeçari S. P. ka humbur jetën gjatë transportimit drejt spitalit, ndërsa 46-vjeçari D. D. ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dyshohet se incidenti ka ndodhur në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Gj. S., ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende për t’u përcaktuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e incidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në kontaktin fatal me energjinë elektrike.
Njoftimi i Policisë:
"Sipas informacionit paraprak, shtetasi S. P., 40 vjeç, i cili punonte si roje i lokalit në pronësi të shtetasit Gj. S., dhe D. D., 46 vjeç, me profesion elektricist, kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.
Si pasojë e incidentit, 40-vjeçari S. P. ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital, ndërsa 46-vjeçari D. D. ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në incidentin tragjik.", njoftoi Policia.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






