Transmetuar më 29-08-2026, 18:52

Hetimet ndaj 49-vjeçarit Ylli Zalla ishin përfunduar rreth dy javë përpara arrestimit të tij nga Policia e Shtetit dhe forcat RENEA. Dosja hetimore ishte dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa ndaj Zallës rëndojnë akuzat për armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.

Për këto vepra penale, më 7 qershor gjykata kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Hetimet nisën pas vrasjes së Gilmando Danit

Sipas të dhënave të dosjes, hetimet ndaj Zallës nisën pas vrasjes së Gilmando Danit. Në kuadër të hetimeve, autoritetet morën në pyetje banorë të zonës ku ndodhi ngjarja, si dhe persona që jetonin pranë vendit ku autorët dyshohet se braktisën dhe dogjën automjetin.

Zalla ishte thirrur nga autoritetet në cilësinë e personit që kishte dijeni për rrethanat e ngjarjes. Dy ditë pas vrasjes, efektivët shkuan në banesën e tij dhe, sipas prokurorisë, arritën të komunikonin me të edhe në telefon.

“Do të paraqitem”, mësohet t’u ketë thënë ai efektivëve. Megjithatë, pas këtij komunikimi Zalla ndërpreu kontaktet me autoritetet dhe nuk u paraqit më.

Armë, drogë dhe pajisje të dyshuara si eksplozive

Gjatë kontrolleve në banesën e tij dhe në ambiente pranë shtëpisë së prindërve, autoritetet sekuestruan armë, telefona celularë, lëndë narkotike, dylbi, si dhe pajisje të dyshuara fillimisht si mjete shpërthyese të improvizuara.

Në operacion u angazhuan edhe forcat RENEA.

Një prej elementeve të gjetura gjatë kontrollit ishte një letër e shkruar me dorë, në të cilën thuhej:

“Duhet me ndërru telin, o Red, kujdes me telin”.

Kjo letër është përfshirë në materialet e hetimit si një prej provave të administruara nga autoritetet. Ekspertiza: Një prej pajisjeve ishte e aftë për shpërthim

Ekspertizat e kryera gjatë hetimit kanë konstatuar se një prej pajisjeve të sekuestruara ishte e aftë të shkaktonte shpërthim.

Ndërkohë, një pajisje tjetër e lidhur me telefon është vlerësuar si e paaftë për shpërthim. Megjithatë, sipas ekspertizës, tritoli dhe detonatori që ishin pjesë e saj rezultuan të aftë për të shkaktuar shpërthim me vonesë.

Gati 10 muaj në arrati

Gjatë kohës që qëndroi në arrati, Zalla publikoi disa video-mesazhe në rrjetet sociale, përmes të cilave kërkonte nga Policia e Shtetit zbardhjen e vrasjes së Gilmando Danit. Në këto mesazhe, ai deklaronte gjithashtu se ishte i pafajshëm.

Arratia e 49-vjeçarit zgjati rreth 10 muaj. Ai u arrestua nga Policia e Shtetit dhe forcat RENEA pranë zonës ku banonte, një ditë pasi në banesën e tij në Zallë të Fushë-Krujës ishte vendosur tritol.

Dyshimet për shpërthimin në banesë

Për shpërthimin në banesën e Zallës, grupi hetimor ka ngritur dyshime se ngjarja mund të jetë inskenuar nga vetë 49-vjeçari, me qëllim shmangien e përballjes me drejtësinë.

Pas arrestimit, Zalla është marrë zyrtarisht i pandehur për akuzat që rëndojnë ndaj tij. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjeve, si dhe lidhjet e mundshme të tij me episodet që janë ende nën hetim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit