

DIBËR – 29 gusht 2026 – Situata e zjarreve në Dibër vijon të mbetet problematike, veçanërisht në bjeshkën e fshatit Sllatinë, ku flakët janë përhapur në një zonë të dendur me pisha dhe dëllinja.
Zjarri është bërë i vështirë për t’u kontrolluar, ndërsa era e fortë dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e flakëve dhe po vështirësojnë ndërhyrjen e forcave në terren.
Dhjetëra forca janë angazhuar në operacion për shuarjen e zjarrit nga toka. Në terren po punojnë specialistë të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Dibër, ndërsa në përpjekjet për izolimin e flakëve janë bashkuar edhe banorë të zonës në mënyrë vullnetare.
Situatë problematike raportohet gjithashtu në Qafë Helmes, pranë Selishtës, si dhe në Vajkal të Bulqizës, ku autoritetet po vijojnë ndërhyrjen për të parandaluar përhapjen e zjarrit.
Në Vajkal, një helikopter është angazhuar prej dy ditësh në operacionin për shuarjen dhe izolimin e flakëve, me qëllim parandalimin e zgjerimit të vatrës dhe shmangien e rrezikut për banesat pranë zonës së përfshirë nga zjarri.
Forcat në terren vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të situatës, ndërsa kushtet e motit mbeten një faktor që e vështirëson operacionin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






